Kampi i Gjadrit po arrin kapacitetin maksimal - Strehohen emigrantë nga Irani e vende pa marrëveshje...
Inspektim i parlamentarëve italianë në Gjadër ku po strehohen emigrantë dhe nga Irani e vende pa marrëveshje me Italinë
Nga Alba Kepi
Kampi i Gjadrit po arrin kapacitetin maksimal me emigrantët e mbërritur gjatë orëve të fundit e për herë të parrë po i afrohet kapacitetit formal prej 144 vendesh.
Në dy javët e fundit, qeveria italiane ka transferuar aty edhe emigrantë që kishin qenë më parë në atë kamp. Kjo ndodh pavarësisht se protokolli midis Tiranës dhe Romës është ende non shqyrtim në Gjykatën e Drejtësisë të BE-së, ndërsa gjykatat italiane vazhdojnë të urdhërojnë kthimin e personave në Itali.
Mes datave 20 dhe 21 shkurt, 70 emigrantë u transferuan në Qendrën e Përkohshme për Rimpatrim (CPR) në Gjadër, Shqipëri, duke e çuar mbi 90 numrin e azilantëve, shifra më e lartë që nga funksionimi i tij. Kjo rritje reflekton një “rilancim” të politikës së qeverisë së Giorgia Meloni, që vijon të promovojë protokollin e nënshkruar mes Romës dhe Tiranës.
Gjatë vizitës së bërë më 23 shkurt në kampin e Gjadrit nga disa anëtarë të 'Tavolo Asilo Imigrazione', dhe deputetes Rachele Scarpa e Partisë Demokratike, u evidentuan raste të rënda.
Një djalë algerian, që ishte dëshmitar i vdekjes së Simo Said më 11 shkurt, vazhdon të vetëdëmtohej dhe të kërcënonte vetëvrasjen. Një emigrant nga Senegali, i cili kishte qenë më parë në qendrën e Gjadrit, ishte rikthyer pavarësisht zotërimit mjfat të mirë të gjuhës italiane dhe i pa asnjë denim kriminal. Një tjetër emigrant nga Kina përballej me vështirësi komunikimi aq të mëdha sa operatorët u detyruan të përdornin ChatGPT për përkthim.
“Qendra duket se ka vetëm një objektiv: të plotësojë kapacitetin”, është shprehur deputetja Scarpa.
Sipas raportit të prezantuar më 28 janar nga Tavoli për Azilin dhe Imigracionin (TAI) ku marrin pjesë organizata si Amnesty International, ASGI dhe Oxfam Italia CPR-të nuk janë instrument efektiv i rimpatrimit.
Ato funksionojnë më shumë si vende kontrolli dhe izolimi, duke ngjashëm me manikomet e dikurshme, sesa si institucione që mbrojnë shëndetin fizik dhe psikologjik të individëve.
Raporti i TAI evidenton se kushtet materiale dhe organizimi i hapësirave ndikojnë direkt në dinjitetin dhe mirëqenien e të mbajturve. Shumë qendra janë të degraduara, me hapësira të ngushta, banjo dhe dushe të pamjaftueshme, dhe pjesët e përbashkëta shpesh të shtruara thjesht me korridore të ftohta dhe depresive.
Këto kushte shoqërohen me mungesë aksesit në shërbime ligjore, higjenike dhe shëndetësore, duke rritur rrezikun për zhvillimin e çrregullimeve post-traumatike dhe problemeve të tjera shëndetësore.
Sopas raportit, pavarësisht propagandës për efektivitet, vetëm një pjesë e vogël e azilantëve rikthehen në vendet e origjinës: në vitin 2024, vetëm 41,8% e të mbajturve u rimpatruan, ndërsa vetëm 10% e vendimeve të dëbimit u kryen përmes CPR-ve.
Raporti i TAI thekson gjithashtu izolimin e shumicës së qendrave nga qendrat urbane, duke kufizuar aksesin në shërbime të domosdoshme dhe duke reflektuar një logjikë të qartë kontrolli dhe përmbajtjeje, jo mbrojtjeje. Përdorimi i psikofarmakëve për menaxhimin e sjelljeve dhe ngjarjeve kritike është gjithashtu i shpeshtë, duke dëshmuar rëndësinë e një qasjeje humane që nuk ekziston në praktikë.
Votimi i Parlamentit Europian më 10 shkurt për strehimin e azilkërkuesve në vendet e treta ka ndryshuar kuadrin ligjor aktual. Pakti i ri mbi imigracionin dhe azilin, që do të hyjë në fuqi në qershor, parashikon që Europa të bëjë marrëveshje me vendet kandidate për mbajtjen e emigrantëve në tranzit.
Francesco Ferri nga ActionAid, pjesë e vizitës së deputetëve italianë, deklaroi: “Italia, për të zbatuar këtë pakt, duhet të nënshkruajë një protokoll të ri. Aktualisht, në Shqipëri Italia menaxhon gjithçka që lidhet me CPR-në, por sipas rregullores së BE-së, vendi i tretë duhet të mbajë përgjegjësitë e procedurave dhe kostot. Do të shihet nëse Shqipëria, që ka debate të brendshme, do ta pranojë një model ku kostot, siguria dhe menaxhimi i emigrantëve jashtë CPR-së janë mbi supet e saj.”
Sipas raportit të TAI, CPR-të janë institucione të panevojshme, të dëmshme dhe jo të reformueshme, të cilat shkaktojnë vuajtje dhe shkelje të të drejtave themelore. Zgjidhja e vetme e propozuar është mbyllja e tyre, duke rikthyer rimpatrimin dhe trajtimin e migruesve brenda një kuadri ligjor që respekton dinjitetin dhe të drejtat e njeriut.