Të fitosh kampionatin dhe të përparosh në Champions, sfida e pamundur e futbollit italian
Pas eliminimit të Interit nga Europa, rikthehet diskutimi i vjetër mbi kombinimin e dy objektivave më të mëdhenj: kampionat dhe Champions.
Analistët dhe tifozët italianë e dinë mirë se një skuadër nuk mund t’i arrijë të dyja pa sakrifikuar diçka. Pas humbjes dramatike vitin e kaluar nga PSG, me pesë gola të pësuar, shumë interistë pyetën nëse kishte kuptim të shpenzohej energji fizike dhe mentale për të vazhduar në Europë, në kurriz të kampionatit italian. Madje, Dimarco, para ndeshjes me Bodo/Glimt, deklaroi se preferon të fokusohet tek titulli i Serisë A.
Historikisht, kombinimi i fitimit të kampionatit dhe i suksesit në Champions League është i rrallë. Vetëm tri herë është arritur: Interi në 1965 dhe 2010 (me fitimin edhe të Kupës së Italisë) dhe Milani në 1994. Sot, me ngarkesën e madhe të ndeshjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, realizimi i kësaj ‘dopiete’ duket pothuajse i pamundur.
Në vendet e tjera, kjo duket më e lehtë. Mjafton të shohim katër edicionet e fundit: Real Madridi i Ancelotti-t në 2022 dhe 2024, City në 2023 dhe PSG vitin e kaluar. Në disa raste, kampionatet mund të jenë më pak të vështira, por në shumicën e rasteve, fitimi i titullit nuk është aspak i garantuar. Ndërsa në Itali, kur ndodh, ka shijen e një arritjeje legjendare dhe skuadrat shpesh duhet të zgjedhin midis objektivave.
Për Interin, realiteti është i qartë edhe me shifra. Skuadra nisi Champions-in si një ‘makinë’ goditëse ndaj ekipeve më të dobëta, por më pas pësoi rënie drastike: nga 10 ndeshje, fitoi 5 dhe humbi 5 të tjera. Krahasuar me periudhën e Inzaghi-t, ky rrugëtim europian është më i vështirë; gjatë tri viteve të fundit me të, Interi humbi vetëm 6 ndeshje në Champions.
Megjithatë, një titull në Serie A do të fshinte gjithçka nga memoria e tifozëve, por disa reflektime mbi ekuilibrin mes kampionatit dhe Europës mbeten të domosdoshme.