Snoop Dogg viziton Swansea, trajneri i Preston-it: E kuptuam vetëm nga era e barit në tunel

Në një ngjarje që tërhoqi vëmendjen globale, ‘ylli’ i muzikës, Snoop Dogg, vizitoi stadiumin e Swansea City-t gjatë ndeshjes së Championship ndaj Preston North End, e përfunduar 1-1. Paul Heckingbottom, trajneri i Preston, tha se skuadra e tij nuk e kishte kuptuar praninë e artistit deri sa ndjeu “erën e barit” në tunel.

Kjo ishte paraqitja e parë e Snoop Dogg në stadium që nga bashkimi me grupin e pronarëve të klubit gjatë verës e kaluar. Artisti 54-vjeçar, emri i vërtetë i të cilit është Calvin Cordozar Broadus Jr., u prezantua para tifozëve para fillimit të ndeshjes, duke krijuar një atmosferë të gjallë. Vizita e tij, si investitor i klubit së bashku me personazhe të njohura si Martha Stewart dhe futbollisti i Milanit, Luka Modric, tërhoqi edhe një pjesëmarrje rekord për këtë sfidë.

Në fushë, skuadra e Preston kaloi e para në avantazh me golin e Daniel Jebbison, por Liam Cullen shpëtoi një pikë për Swansea në minutat shtesë të ndeshjes (95’). Trajneri Heckingbottom theksoi se atmosfera e stadiumit nuk ndikoi shumë te loja e skuadrës së tij: “Nuk ishte intensive. Ne i mbajtëm ata në heshtje gjatë gjithë ndeshjes. Vetëm në fund, kur pësuam golin, lejuam tifozët të festonin pak. E vetmja gjë që kuptuam se diçka ishte ndryshe ishte era e barit në tunel.”

Para fillimit të ndeshjes, Snoop Dogg hyri në fushë me fanellën dhe xhaketën e Swansea, u përshëndet nga 20 të rinj, që do të përfaqësojnë Uellsin në Street Child World Cup 2026, dhe përshëndeti tifozët duke përqafuar edhe maskotën e klubit.

Snoop Dogg është investitori më i ri i Swansea dhe synimi i tij, bashkë me pronarët e tjerë, është ta ndihmojnë klubin të rikthehet në Premier League.

Ndeshja e ardhshme e Swansea do të jetë ndaj Ipswich, më 28 shkurt 2026.