'3.8 miliard euro, fonde rekord', Këlliçi: Balluku i shpërdoroi për 2 vite, rrugët e shqiptarëve po shemben

Ne një reagim në rrjete sociale, deputeti Belind Këlliçi u shpreh se 3.8 miliardë euro në dorën e Ballukut për vetëm 2 vite, puna flet vetë!

Ai akuzon qeverinë se, pavarësisht fondit rekord për rrugët, realiteti në terren është katastrofik: Juglindja e bllokuar, Veriu ngecur në Milot–Shkodër, autostrada drejt Durrësit e paaftë për të përballuar trafikun, dhe Tirana ende pa përfunduar zgjerimin e rrugëve për në Kashar.

Sipas Këlliçit, këto 3.8 miliardë euro janë pasuria e qytetarëve, të taksave të tyre, dhe jo prona e Ramës apo Ballukut, por fondet janë “vjedhur” përmes korrupsionit, duke i mohuar shqiptarëve të drejtën për rrugë të sigurta, shërbime më të mira shëndetësore dhe paga e pensione të denja. Ai thirr qytetarët që të ngrihen në shesh më 28 shkurt për të kërkuar llogari për këtë shpërdorim të madh.

Postimi i Plotë:

3.8 miliardë euro në dorën e Ballukut për 2 vite, puna flet vetë...!

Një fond rekord prej 3.8 miliardë euro ka pasur në dorë Belinda Balluku për rrugët vetëm në dy vitet e fundit. Një shumë e tillë, në një vend të vogël si i yni do të kishte sjellë revolucion në infrastrukturë.

Por çfarë ndodh në realitet? Sot kemi gjithë Juglindjen të bllokuar pa akses sepse rrugët kanë rënë. Gjithë Veriu ngec në rrugën e ngushtë Milot-Shkodër, zgjerimi atje nuk nisi kurrë. Disa kilometra nga Tirana në Kashar po bëhen 2 vite që nuk mbarojnë, dhe rruga për në Durrës kthehet në ferr.

Çdo fundjavë ka radhë kilometrike në dalje e në hyrje të Elbasanit, ku mbaron autostrada.

Ku shkuan vallë 3.8 miliardë euro të administruara nga Balluku për rrugët në këto 2 vitet e fundit?

Këto 3.8 miliardë euro janë pasuria, janë taksat dhe puna e shqiptarëve. Ato nuk janë lekët e Ramës dhe Ballukut.

Kuptohet, janë bërë të tyret nga hajdutëria. Sa herë futen duart e vidhen fondet, njerëzit duhet ta dinë se atyre u mohohet diçka.

Korrupsioni është shkelësi më i madh i të drejtave që kanë shqiptarët për të pasur rrugë, shërbim shëndetësor, paga e pensione më të mira.

Qytetarët duhet të ngrenë zërin, të bashkohen në shesh me 28 shkurt, e të kërkojnë llogari për paratë që u janë marrë atyre e kanë përfunduar në llogaritë e pushtetarëve të rilindjes!