Shembja katastrofike e rrugëve, Nallbati: Në çdo objekt që ndërtojnë Rama e Balluku synojnë të vjedhin...
Shkatërrimi i akseve të reja rrugore në vend ka ngjallur debat të ashpër, ku justifikimet zyrtare që ia faturojnë problemin "gjeologjisë" së terrenit po përballen me akuza të forta për korrupsion të qëllimshëm.
Sipas argumentit të paraqitur, çdo projekt serioz infrastrukturor e ka kusht të panegociueshëm kryerjen e studimit gjeologjik përpara fillimit të punimeve.
Deputeti i Partisë Demokratike Beldion Nallbati i ftuar në emisionin 'Kafe Shqeto' në Syri tv tha se, “Të fajësosh gjeologjinë për shembjen është një manovër për të shmangur përgjegjësinë për projektim dhe zbatim të dobët”.
Kompanitë ndërtuese, në vend që të kryejnë punimet e nevojshme si shtresimet, drenazhimet dhe konsolidimi i bazamentit, thuhet se zgjedhin rrugën e shkurtër duke hedhur vetëm një shtresë të hollë asfalti. “Sepse duhet të vjedhin, është e qartë fare”, theksohet në diskutim, duke shtuar se zbatimi i standardeve do të rriste koston dhe do të ulte mundësitë për abuzim.
Gjatë bisedës me Flavio Qarrin, Deputeti demokrat solli si shembull rrugën Korçë-Kapshticë, e ndërtuar në vitin 2001. Edhe pas më shumë se dy dekadash dhe një fluksi tejet të lartë trafiku, përfshirë atë të pikës doganore, ky aks rrugor nuk ka pësuar asnjë dëmtim apo cedim. Ky fakt përdoret për të ilustruar se kur rrugët ndërtohen sipas standardeve, ato janë jetëgjata, ndryshe nga akset e reja që shkatërrohen në kohë rekord.
Sipas deputetit të PD, “synimi i tenderave publikë nuk është ndërtimi i infrastrukturës në shërbim të qytetarëve, por krijimi i një mekanizmi për të vjedhur para publike”.
Bledion Nallbati: Shiko, një koment në lidhje me këtë. Të dalësh e të thuash që e ka fajin gjeologjia për shkatërrimin e rrugëve, kjo është po kaq, idiotsi dhe kaq, çmenduri, sepse është kusht, kur ti projekton një vepër, një nga kushtet kryesore të ndërtimit është që ti bën studimin gjeologjik dhe ti nuk pret më mbrapa të kesh surpriza nga terreni.
E studion më përpara, di se çfarë përbërje gjeologjike ka ky, segment dhe je i qartë për atë që po bën. Por këta nuk duan të dinë, këta gjejnë, terrenin më të kollajtë për të hedhur, një copë asfalti nga sipër, për të mos bërë punimet e duhura, shtresat që ka nevojë apo qoftë edhe drenazhimet që ka nevojë një rrugë për t'u bërë. Sepse duhet të vjedhin vëlla, është e qartë fare. Në qoftë se bëhen të gjitha këto, këto kanë një kosto. Po të projektosh me standarde dhe të zbatosh me standarte, unë po ju jap një shembull. Rruga Korçë-Kapshticë. Pra është ndërtuar shumë vite me parë dhe nuk ka asnjë problem.
Flavio Qarri: Po edhe projektet janë bërë me tendera, jo vetëm rruga, edhe vetë projektimi është bërë me tendera.
Bledion Nallbati: Shiko, kur, projektohet dhe, ndërtohet me standarde. Rruga Korçë-Kapshticë, ka filluar funksionimin në vitin 2001. Është një rrugë që mban një fluks jo të vogël, sepse kemi të bëjmë me pikën doganore të Kapshticës, por dhe tre pika të tjera doganore që ka qarku i Korçës, ka një lëvizje të konsiderueshme. Sot e kësaj dite, u bënë 20 e ca vjet, 25 vjet, nuk ka një cedim të vogël. Një cedim të vogël. Dhe këtu nuk dua të bëj politikë, është një rrugë që është ndërtuar në kohën e qeverisjes socialiste të Fatos Nanos. Por është ndërtuar, projektuar dhe zbatuar me standard. Nuk ka një cedim të vogël po të them. Ndërkohë që në akset që kanë ndërtuar këta nuk gjen dot një aks që të mos ketë probleme dhe të thuash e ka fajin gjeologjia.
Jo mor është e qartë kjo punë. Nuk ka justifikim, hipokrizia është gjë e vogël që të dalësh e të thuash, të thuash këtë. Por, siç e thashë në fillim, për ne është e qartë dhe besoj duhet të jetë e qartë për çdo shqiptar, që kjo nuk ka të bëjë me problematika të terrenit apo të natyrës. Ka të bëjë vetëm me një arsye. Me, strategjinë që kanë këta njerëz që drejtojnë këtë shtet, duke e nisur nga Edi Rama, Bela e të gjithë me radhë, që çdo objekt që këta projektojnë dhe tenderojnë, nuk e kanë me synimin që të ndërtojnë infrastrukturë për t'i shërbyer shqiptarëve, por të bëjnë një tender për të vjedhur ca para dhe se çfarë ndodh me këto objekte pastaj nuk ka më rëndësi. Në fund do gjejnë një, justifikim.
Flavio Qarri: Ndoshta një pyetje politike për të dy. A mos ndoshta, kishin menduar që nuk do ishin në pushtet kaq gjatë dhe vetëm plani ishte për të vjedhur dhe për të ikur?
Bledion Nallbati: Po s'është çudi. Por gjithsesi, duhet të jesh, i çmendur ose idiot që ta mendosh se, edhe nëse nuk je në pushtet, nuk do të thotë që i shpëton përgjegjësisë.
Flavio Qarri: Po ç'përgjegjësi? Lekët në xhep, dënim me shërbim prove, tre vjet burg, si këto që po dalin të gjithë, po ikin në shtëpi.
Bledion Nallbati: Nuk mendoj që do t'ia hedhin aq lehtë, nuk mendoj….