Eliminimi i kushton 20 milionë Interit, merkatoja e verës vendimtare
Eliminimi nga UEFA Champions League pas disfatës ndaj Bodo/Glimt nuk ka vetëm pasoja sportive për Interin, por edhe financiare. Llogarive të zikaltërve do t’u mungojnë rreth 20 milionë euro: 11 milionë nga kualifikimi i dështuar në 1/8-at dhe afro 9 milionë nga të ardhurat e biletave që do të siguroheshin në fazën tjetër.
Presidenti Beppe Marotta u shpreh i qetë: “Edhe nëse do të eliminoheshim, aspektin financiar do ta rregullojmë gjatë rrugës. Nuk është problem”. Megjithatë, të ardhurat nga Europa janë thelbësore për ekuilibrin ekonomik të klubit dhe mungesa e tyre do të ndikojë në strategjinë e verës.
Interi mund të kompensojë pjesërisht humbjet me fitore në kampionat apo Kupë, por këto objektiva duhen arritur në fushë dhe, gjithsesi, nuk do ta mbulonin plotësisht boshllëkun financiar. Për këtë arsye, merkatoja verore pritet të varet sërish nga shitjet.
Emra të rëndësishëm mund të përfshihen në diskutime. Marcus Thuram, Hakan Calhanoglu dhe Nicolo Barella nuk kanë shkëlqyer këtë sezon si në të kaluarën, ndërsa alternativa të reja po rriten brenda klubit. Pio Esposito shihet si pjesë e së ardhmes dhe mund të reduktojë hapësirat në sulm. Në mesfushë, Calhanoglu ka pasur zëra për një rikthim në Turqi, ndërsa Davide Frattesi mbetet vazhdimisht në radarët e klubeve të tjera.
Mesazhi është i qartë: përballë ofertave të rëndësishme, askush nuk konsiderohet plotësisht i paprekshëm. Interi do të përpiqet ta rregullojë bilancin në muajt në vijim, por merkatoja e verës mund të sjellë lëvizje të rëndësishme për të mbuluar minus 20 milionë eurot e humbura nga Europa.