‘Kurrë më armë bërthamore’/ Irani i përgjigjet Trump: Gënjeshtarë profesionistë, po krijoni ‘iluzionin e së vërtetës’

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmaeil Baqaei, kritikoi ashpër Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin, për orkestrimin e një fushate sistematike dezinformimi kundër Iranit.

Në një mesazh të postuar në llogarinë e tij X të mërkurën, Baqaei tha se Uashingtoni dhe "përfituesit e luftës" përreth tij - veçanërisht regjimi sionist - po përhapin vazhdimisht pretendime të rreme në lidhje me programin bërthamor të Iranit, raketat balistike dhe numrin e viktimave gjatë trazirave të janarit.

«Gënjeshtarët profesionistë janë të mirë në krijimin e ‘iluzionit të së vërtetës’», tha zëdhënësi.

“‘Përsërite një gënjeshtër mjaftueshëm shpesh dhe ajo bëhet e vërtetë’, është një ligj propagande i shpikur nga nazisti Joseph Goebbels. Ky ligj tani përdoret sistematikisht nga administrata amerikane dhe profiterët e luftës që e rrethojnë atë, veçanërisht regjimi gjenocidal izraelit, për t'i shërbyer fushatës së tyre të ligë të dezinformimit dhe keqinformimit kundër Kombit të Iranit”, shtoi Baqaei.

“Çfarëdo që pretendojnë në lidhje me programin bërthamor të Iranit, raketat balistike të Iranit dhe numrin e viktimave gjatë trazirave të janarit, është thjesht përsëritje e ‘gënjeshtrave të mëdha’”, deklaroi ai.

«Askush nuk duhet të mashtrohet nga këto të pavërteta të spikatura», vuri në dukje zëdhënësi, raporton agjencia e lajmeve iraniane,Tasnim.

 Presidenti amerikan, Donald Trump teksa iu drejtua amerikanëve drejtpërdrejt, në lidhje me Iranin, tha se: "Unë preferoj ta zgjidh çështjen përmes diplomacisë, por një gjë është e sigurt: Nuk do ta lejoj kurrë Iranin të ketë armë bërthamore", siguroi ai, duke paralajmëruar se Teherani "ka zhvilluar tashmë raketa që mund të godasin Evropën dhe Shtetet e Bashkuara"