Sneijder: Mora 4 mijë kërcënime me vdekje nga Argjentina për rastin ‘Prestianni-Vinicius’

Çështja që përfshin Gianluca Prestianni-n dhe Vinicius Junior-in vazhdon të mbetet e hapur dhe e ndërlikuar. Pas episodit të ndodhur në “Da Luz” gjatë sfidës Benfica–Real Madrid në playoff-in e UEFA Champions League, reagimet nuk kanë munguar.

Ish-mesfushori holandez Wesley Sneijder, duke folur për Ziggo Sport, u shpreh ashpër: “Nëse do të isha shoku i tij i skuadrës, do të isha i zemëruar me të. Nuk besoj se kjo çështje do të mbyllet shpejt. Edhe shokët e tij duken të bindur se Vinicius nuk po e shpik. Frika dukej në sytë e Prestiannit. Dukej se e kuptonte që kishte bërë një gabim të madh dhe besoj se do të ketë pasoja”.

Sneijder zbuloi gjithashtu se deklaratat e tij i kanë kushtuar shtrenjtë në aspektin personal: “Kam marrë 4 mijë kërcënime me vdekje nga Argjentina javën e kaluar vetëm sepse shpreha mendimin tim. Çdokush ka të drejtë për opinionin e vet. Edhe ata që më kërcënojnë kanë mendimin e tyre, ashtu si unë, bazuar në atë që kam parë”.

Sa i përket vendimit të UEFA, e cila fillimisht e pezulloi lojtarin për një ndeshje, Sneijder mendon se Benfica mund të kishte zgjedhur të mos e merrte me skuadrën në Madrid: “Ndoshta do të ishte më mirë ta mbronin dhe më pas të hetonin më tej. Megjithatë, është e vështirë të sigurohen prova konkrete”.

Pavarësisht polemikave, Benfica e ka apeluar pezullimin dhe ka dërguar Prestiannin në Madrid me pjesën tjetër të skuadrës, ku ai mori pjesë normalisht në stërvitjen në fushën e Realit. Rasti mbetet i hapur dhe pritet të ketë zhvillime të tjera në ditët në vijim.