Analistët ‘gozhdojnë’ Interin: Shumë i ngadaltë dhe i pasigurt, Zielinski duhet ta lëvizë topin më shpejt

Eliminimi i Interit nga UEFA Champions League pas humbjes 1-2 ndaj Bodo/Glimt në “San Siro” ka ndezur debatet në studiot televizive italiane. Analistët nuk kursyen kritikat për paraqitjen e zikaltërve, duke e cilësuar skuadrën të ngadaltë dhe pa agresivitet.

Fabio Capello u shpreh i drejtpërdrejtë: “Në këtë moment nuk jemi mësuar të jemi agresivë. Në kampionatin italian loja ndërpritet menjëherë me ndërhyrje të forta dhe ritmi bie. Ne luajmë nën ritëm dhe kështu bëhet e vështirë të jesh i rrezikshëm. Kjo u pa qartë edhe sonte me Interin”.

Në të njëjtën linjë ishte edhe ish-sulmuesi zikaltër, Goran Pandev, i cili theksoi problemet fizike të skuadrave italiane në këtë periudhë: “Në shkurt shumë ekipe italiane janë jashtë Europës dhe duken jo në formën më të mirë fizike. Janari dhe shkurti janë muaj të vështirë”.

Por kritika më e drejtpërdrejtë erdhi nga ish-mesfushori i Milanit, Zvonimir Boban. “Duhet të ndryshohet disi mentaliteti. Interi ishte shumë i ngadaltë dhe tepër taktik, madje edhe i pasigurt në pasime. Për shembull, sa herë duhet ta prekë topin Zielinski para se ta shpërndante? Nëse je organizator loje, duhet një-dy, një-dy, me ritëm më të lartë. Dhe këtë ai e ka bërë shumë mirë këtë sezon, por sonte mungoi shpejtësia”.

Analizat pas eliminimit nxjerrin në pah një problem më të gjerë: mungesën e ritmit dhe agresivitetit në futbollin italian, elementë që në arenën europiane bëjnë diferencën.