Chivu: Djemtë dhanë maksimumin, por Bodo/Glimt ishte më energjik
Cristian Chivu nuk kërkoi alibi pas humbjes ndaj Bodo/Glimt, por e përkufizoi gjithçka me një fjalë: hidhërim. Sipas tij, skuadra bëri maksimumin në kushtet që kishte, por përballë ishte një kundërshtar i disiplinuar dhe i mbrojtur mirë.
“Provuan në çdo mënyrë. Ata ishin shumë të organizuar, me të gjithë lojtarët pas vijës së mesfushës. Fakti që ndeshja nuk u zhbllokua u dha qetësi. Nuk kam asgjë për t’u qortuar lojtarëve të mi, dhanë gjithçka me energjitë që kishim. Na dhemb sepse synonim kualifikimin, por ata ishin më të freskët. E merituan të kalonin më tej”, u shpreh trajneri.
Duke folur për ecurinë në UEFA Champions League, Chivu theksoi se synimi ishte të ishin konkurrues: “E nisëm mirë, por ky nivel nuk fal. Nëse nuk je i saktë dhe i kthjellët, ndëshkohesh menjëherë”.
Sa i përket analizës taktike, ai kërkoi më shumë durim në pjesën e dytë: “Duhej të qarkullonim topin më shpejt për të çarë rreshtimin e tyre 4-4-2. Na mungoi pasimi vendimtar dhe lëvizja pa top. Krijuam shumë goditje këndi dhe mund ta zhbllokonim më herët. Një gol do ta ndryshonte presionin mbi ta”.
Në fund, Chivu nënvizoi edhe lodhjen: “Është e vështirë kur luan çdo tri ditë. Ata kishin vetëm katër ndeshje në muajt e fundit. Tani duhet të shohim përpara dhe t’u japim meritat kundërshtarëve”.