Zhulali: Rrugët po ‘protestojnë’ kundër qeverisë, vendi drejt izolimit dhe boshatisjes
E ftuar në emisionin ‘A Krasta Show’ në Syri TV, drejtuesja e Departamentit të Marrëdhënieve me Jashtë në Partinë Demokratike e Shqipërisë, Ilda Zhulali, u shpreh se degradimi i infrastrukturës rrugore është kthyer në simbol të dështimit të qeverisjes.
Sipas saj, situata e rrugëve në juglindje dhe rreziku për izolim edhe në veri tregojnë se vendi po shkon drejt një realiteti ku lëvizja kufizohet vetëm në korridorin Tiranë-Durrës.
Zhulali e cilësoi gjendjen e akseve kryesore si alarmante, duke e lidhur këtë me atë që ajo e quan model qeverisjeje të përqendruar te ‘fasadat’ dhe jo te standardet. Ajo kritikoi gjithashtu reformën territoriale, duke argumentuar se centralizimi i shërbimeve ka përshpejtuar boshatisjen e qyteteve dhe izolimin e zonave të tjera të vendit, ndërsa opozita, sipas saj, po kërkon një rishikim të thellë të kësaj qasjeje.
Ilda Zhulali: Duket sikur edhe rrugët janë bashkuar protestës tonë, do të thoja unë, se dhe ato po protestojnë. Edhe është një formë tjetër që edhe për të zgjuar, jo thjesht për të protestuar ndaj qeverisë për mënyrën se si ato i kanë ndërtuar duke e patur mendjen vetëm sa para do të fusin në xhep dhe jo çfarë po lënë pas dhe si po rrezikojnë jetët e njerëzve, por edhe për t'i ndërgjegjësuar njerëzit që të zgjohen sepse nuk ka më keq se kaq. Pra, nëse ti ke gjithë juglindjen e vendit krejtësisht të izoluar, po ashtu rrezikon që të njëjtin fat të ketë dhe veriu i vendit. Praktikisht shqiptarët do të jetojnë në një qytet-shtet Durrës-Tiranë, dhe kjo do të jetë hapësira e vetme për ta, për të lëvizur dhe për të bërë çdo gjë.
Ndërkohë që e gjithë pjesa e territorit nuk do të jetë më e aksesueshme. Pas 13 vitesh kaq të suksesshme të Rilindjes, dhe që ka çuar në një shpopullim drastik të vendit, të dhimbshëm, të tmerrshëm, dhe besoj që rrugët në një farë mënyre po i bashkohen protestës që po thërret dhe opozita.
Këtu nuk kam përfshirë autostradën Tiranë-Durrës që po ashtu është në kushte të tmerrshme. Ju e keni parë, madje është aksi rrugor që përshkohet më dendur nga të gjithë njerëzit dhe ku çahen rregullisht gomat e makinës dhe bëhet burim aksidentesh që mund të marrin dhe jetë njerëzish. Pra, e gjithë Shqipëria është e shpartalluar nga rrugët për jo vetëm...
Kjo është e gjithë forma e qeverisjes që është nga çdo anë po ta kapësh, ti kupton që këtu vetëm për qeverisjen e vendit nuk është bërë fjalë në gjithë këto vite. Këtu është bërë fjalë vetëm për ndërtimin e skemave për të vjedhur para dhe për të lënë disa fasada që mund të qëndrojnë në këmbë për aq sa mund të qëndrojnë dhe kaq. Por jo vetëm tek Rilindja e qendrave urbane siç u tha atëherë, që ishte vetëm një bojatisje e fasadës. Por meqënëse këto ditë për shembull diskutohet edhe reforma territoriale, këtu është bërë një krim i madh edhe me reformën territoriale e cila ka synuar boshatisjen e Shqipërisë dhe jo gjallimin e qyteteve tona. Dhe mendoj që një nga këndvështrimet që duhet të parë reforma e re territoriale duhet të jetë dhe kjo. Sepse çfarë ka ndodhur? Duke i zhvendosur shërbimet nga qytetet në disa qendra të tjera, duke i sjellë në Tiranë kryesisht, pra duke e centralizuar pushtetin në vend që ta decentralizosh atë, ne kemi sot një produkt të tmerrshëm, të dhimbshëm, tragjik që është boshatisja e qyteteve.