Alarm te Reali, Mbappe në dyshim për duelin vendimtar të Championsit ndaj Benfikës
Probleme serioze për Real Madridin në prag të sfidës vendimtare ndaj Benficës në kthimin e fazës me eliminim direkt në Champions League.
Sipas raportimit të “L'Équipe”, ylli francez Kylian Mbappé po vuan sërish nga dhimbje në gju dhe gjendja e tij “nuk duket aspak e mirë”.
Kjo e bën shumë të pasigurt praninë e tij në ndeshjen që do të luhet në “Santiago Bernabeu”.
Në takimin e parë, të zhvilluar në Portugali, Reali fitoi 1-0 falë golit të Vinícius Júnior, duke marrë një avantazh të rëndësishëm përpara përballjes së kthimit.
Megjithatë, mungesa e mundshme e Mbappes do të ishte një goditje e fortë për madrilenët, sidomos në një sfidë ku kërkohet konfirmimi i kualifikimit.
Stafi mjekësor po monitoron situatën orë pas ore, ndërsa vendimi përfundimtar pritet të merret pranë ndeshjes.
Tifozët e Realit mbajnë frymën – “Bernabeu” pret një tjetër natë europiane, por pa yllin francez gjithçka do të ishte shumë më e komplikuar.