'Terreni është rebeluar': Inxhinieri Lala: Shembjet e rrugëve në Juglindje nuk janë nga shiu, por nga dora e njeriut

Juglindja e Shqipërisë ka mbetur e izoluar prej pesë ditësh si pasojë e shembjeve masive dhe rrëshqitjeve të dherave në akset kryesore rrugore. Ndërkohë që institucionet zyrtare ia atribuojnë shkakun reshjeve intensive të shiut, një ekspert i fushës argumenton se rrënja e problemit qëndron gjetkë: te “faktori njerëzor” dhe ndërhyrjet e gabuara në infrastrukturë.

Në një analizë të situatës, në një intervistë në SYRI TV inxhinieri i infrastrukturës rrugore, Erjon Lala, theksoi se shembjet e përsëritura nuk janë thjesht fatkeqësi natyrore, por një “rebelim i terrenit” si kundërpërgjigje ndaj ndërhyrjeve njerëzore.

Sipas tij, bllokimi i aksit Librazhd-Përrenjas është vetëm rasti më i fundit viral, por dëmtime të ngjashme janë vërejtur edhe më herët në segmente si Qukës-Qafë Pllocë dhe rrugë të tjera dytësore. Eksperti vuri në dukje një sërë dështimesh teknike zinxhir që kanë çuar në këtë krizë. Ai përmendi mungesën e studimeve të thelluara gjeologjike përpara ndërtimit, një fakt i pohuar edhe nga drejtues të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Më tej, ai listoi problematika në të gjitha fazat e projektit: që nga projektimi fillestar, zbatimi i punimeve nga kontraktorët, e deri te procesi kritik i mbikëqyrjes. “Procesi nga projektimi deri te kolaudimi ka pika të shumta kontrolli që duket se kanë dështuar,” deklaroi Lala.

Duke analizuar rastin konkret të aksit Librazhd-Përrenjas, inxhinieri u shpreh se pamjet tregojnë një rrëshqitje masive të shpatit. Kjo, sipas tij, është shkaktuar nga ndryshimi i morfologjisë së terrenit, si mbushja e një pjese të aksit që ka bllokuar një përrua ekzistues dhe vendosja e një ngarkese të rëndë mbi trupin e rrugës.

Lala:

Të gjesh shkaqet, arsyet e e shembjeve, dëmtimeve rrugore është një proces i gjatë dhe i vështirë teknik. Kërkohet një analizë deri diku e thelluar, duke parë studimet gjeologjike, duke parë projektin, pra elemente që ne nuk i njohim. Sot që flasim, në dijeninë time nuk është vënë projekti në dispozicion, ose të paktën unë nuk e njoh. Dhe më pas, pas një analize të thelluar nga disa lloj ekspertësh, duke qenë i drejtimit, nga konstruktorët, nga inxhinierët gjeologë, mund të arrihet në përfundimet e duhura për të parë se çfarë ka ndodhur konkretisht në një rrugë. Ajo që dimë ne, ajo që kemi parë, ajo që kam parë unë personalisht si inxhinier, si një qytetar i këtij vendi, i cili i ka shëtitur këto rrugë, i ka përdorur dhe i njeh pak a shumë mirë, relativisht mirë, për shkak të natyrës time të punës, është që nuk është një rrugë, vetëm një rrugë që ka patur dëmtime. Kjo ka nisur me Qukës, Qafë Pllocën, në dijeninë time, ku ka patur shkarje edhe rrëzime. Bile ditët e fundit sot, duke qenë se është bërë dhe virale lajmi i bllokimit të rrugës Librazhd-Përrenjas, që është një aks i rëndësishëm,  kanë filluar njoftime dhe për rrugë të tjera të dëmtuara dhe kjo është një shenjë që pa i hyrë elementeve teknike, të cilët do t'i shpjegoj me qartësi, ka një faktor të përbashkët.

Elementet teknike nisin që nga projekti i zbatimit. Ka dhe para tij disa hapa, që janë studimi i fizibilitetit, projekti deja, por në momentin kur projekti i zbatimit është mbaruar, në teori ka kaluar dhe një oponencë teknike, pra është parë nga një palë e dytë, që është ARRSH-ja në rastin më të mirë, pasi është një institucion i cili menaxhon rrugët, por ka dhe departamente teknike brenda. Projekti tenderohet, pra i jepet zbatuesit të punimeve. Presupozon që gjatë kësaj faze, e njohur me terrenin, janë marrë parasysh të gjitha elementet. Sepse në varësi të kushteve të terrenit, gjeologjisë, morfologjisë, pra formës në të cilën ku do kalojë rruga, ti ke bërë dhe rrugën.

Pra do ta bësh, po marr një shembull të thjeshtë që të kuptohet edhe nga shikuesit, do ta bësh me urë, do ta bësh me mbushje, s'do bësh asnjërën prej këtyre, do bësh një strukturë betoni, apo raste të tjera. Elementi i dytë është zbatimi i punimeve, i cili ka përgjegjësinë siç duhet të zbatojë projektin në të gjitha detalet. Është dhe një element i tretë fundor, që është mbikqyrësi i punimeve, ose supervizioni siç njihet ndryshe në vendin tonë, i cili aty në mënyrë ditore, të përhershme, duke patur dhe laboratoret e tyre fushore, laboratorë teknike për të kontrolluar materialet e ndërtimit, për të kontrolluar shtresat rrugore, për të bërë testimet, nëse janë ngjeshur mirë, në qoftë se betonët kanë arritur markat e duhura, mos të hapim shumë nga ana teknike.

Dhe në përfundim të këtyre hapave vjen më pas edhe kolaudimi ose marrja në dorëzim. Pra, është e qartë në këtë rast, duke mos ditur se ç'i ka ndodhur, pra është ngarkuar ai trup rruge me një peshë të madhe që i vjen nga traseja e cila është ndërtuar mbi..

Aty duket se ka shkarë një pjesë e madhe e kodrës ose shpatit, po e quaj më saktë se nuk ka formën e kodrës, e cila është në drejtim të një ure. Urë e cila ka patur aty një përrua ekzistues, është një rrugë e vjetër e cila nuk ka patur në të, në të shkuarën, ë deformime të trupit të rrugës apo shkarje. Faktori që i përmbledh të gjitha këto raste është faktori njerëzor. Pra të gjitha këto raste ku terreni, po e quajmë, është rebeluar,  është termi i duhur besoj është në momenti kur ka ndërhyrë njeriu.

Mbushja e një pjese të aksit të rrugës në, kur shkon për në Përrenjas në të majtë të urës, e cila është mbushur dhe ka bllokuar një përrua ekzistues, dhe ngarkesa që i është dhënë lart trupit të rrugës e bërë me element teknik që quhet terramesh, pra janë shtresa dheu me rrjetë. Pra të gjitha këto faktorë kanë ndryshuar diçka nga gjeologjia origjinale e natyrës. Pra është ngacmuar natyra, natyra ka reaguar.