Meta: Rrugët nuk shemben nga gjeologjia, por nga babëzia dhe korrupsioni...
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka reaguar lidhur me shembjen e aksit Korçë–Ersekë, duke akuzuar qeverinë për korrupsion dhe mungesë përgjegjësie.
Me një video të publikuar, Meta thekson se e kishte paralajmëruar më 10 shkurt 2024 nga Shkodra për rrezikun e degradimit të kësaj rruge dhe ngre pyetje publike nëse është hetuar apo ndëshkuar ndonjë përgjegjës për projektimin, ndërtimin dhe supervizimin e saj.
Sipas tij, shkaku i shembjeve nuk lidhet as me reshjet dhe as me faktorë gjeologjikë, por me atë që e quan ‘babëzi’ dhe keqmenaxhim të fondeve publike.
Reagimi i plotë në FB:
Nuk është faji i gjeologjisë, por është faji i BABËZISË!
Ja si e paralajmërova nga Shkodra, më 10 shkurt 2024, se si do të shembej rruga Korçë-Ersekë.
Dini gjë a u hetua? A u dënua njeri? A u zbulua ndonjë përgjegjësi penale për projektuesin? Për ndërtuesin? Po për supervizorin?
Nuk është as faji i Shkumbinit dhe as faji i shiut, por është faji i "Diellës" (Edi Ramës) dhe korrupsionit të saj (tij) skizofrenik, arsyeja pse po shemben rrugët, nga Veriu në Jug.. Jo për një rrugë, jo për një pallat, por edhe për të ndërtuar një shtëpi duhet studim gjeologjik dhe hidro-gjeologjik.
Por babëzia nuk pyet. Ndaj dhe rrugët shemben njëra pas tjetrës. Ky është çmimi i rëndë i korrupsionit skizofrenik që po paguajnë sot të gjithë shqiptarët.