Heqja e imunitetit të Ballukut/ Bardhi - deputetëve të PS: Votoni ‘pro’ kërkesës së SPAK
Kryetari i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i ka bërë thirrje deputetëve të mazhorancës socialiste që të votojnë ‘pro’ kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.
‘Ne rekomandojmë që deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar’, shkruan Bardhi në Facebook.
Postimi i plotë:
Qëndrimi i Grupit Parlamentar të PD në mbledhjen e Këshillit të Mandateve ishte i qartë dhe në mbështetje të luftës kundër korrupsionit.
Ne rekomandojmë që deputetët në seancë plenare të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë të votojnë pro, për miratimin e kërkesës nr. 43019 Prot., datë 16.12.2025 të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, duke vendosur:
“Dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për arrestimin/heqjen e lirisë nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit nga ajo e "Ndalimit të daljes jashtë shtetit" dhe "Pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik", në atë të arrest në burg/në shtëpi, për Belinda BALLUKU”, e cila ushtron funksionet e deputetit, ministrit dhe zëvendëskryeministrit, në kuadër të procedimit penal nr. 136 të vitit 2025, ku ajo është marrë si e pandehur dhe person nën hetim, për shkak se dyshohet se ka kryer, në mënyrë të përsëritur, 11 herë veprën penale: "Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike", kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 258/2 e 25 të K.Penal.