Juventusi me misionin të përmbysë humbjen 5-2 me Galatasarayn, Spalleti: Do luftojmë deri në fund

Mision pothuajse i pamundur apo një tjetër mbrëmje magjike europiane?

Juventusi rikthehet në Champions League këtë të mërkurë përballë Galatasarayt, me synimin për të përmbysur humbjen e thellë 5-2 të ndeshjes së parë dhe për të siguruar një vend në raundin e 1/8-ve.

Në prag të kësaj sfide vendimtare, trajneri Luciano Spalletti ka bërë thirrje të drejtpërdrejtë për mbështetjen e tifozëve, duke e cilësuar momentin si delikat dhe të vështirë për skuadrën bardhezi.

“Ka ndeshje që nuk luhen, por përjetohen. Duhet të krijojmë një kontekst me pjesëmarrjen e një mjedisi të tërë; kemi nevojë për zemrën e tifozëve tanë. Me ta pas nesh, jemi më të fortë”, u shpreh tekniku italian në konferencën për shtyp.

Spalletti theksoi se skuadra ka shfrytëzuar maksimalisht ditën e pushimit për t’u rikuperuar dhe për t’u përgatitur në aspektin fizik dhe mendor.

Ai nënvizoi se fokusi është totalisht te kjo përballje, ndërsa çdo diskutim për të ardhmen do të vijë vetëm pas përfundimit të saj.

“Do të përballemi me çdo vështirësi dhe do të luftojmë deri në fund”, shtoi ai, duke rritur pritshmëritë për një natë të zjarrtë në Torino.

Juventusi ka nevojë për një mrekulli sportive, por në Champions, historia ka treguar se asgjë nuk është e pamundur.