Rregulli i hekurt i Flick trondit Barcelonën: 40 mijë euro për 10 minuta
Trajneri i Barcelonës, Hansi Flick, ka vendosur një nga masat më të ashpra disiplinore në historinë e klubit, duke paralajmëruar gjoba rekord për lojtarët që vonohen.
Vendimi vjen në një moment kur katalanasit, pas 25 xhirove, janë rikthyer në krye të tabelës së kampionatit.
Pas fitores bindëse ndaj Levantes, ku realizuan Marc Bernal, Frenkie de Jong dhe Fermín López, Barcelona përfitoi edhe nga humbja e Real Madridit ndaj Osasunës për të marrë vendin e parë.
Flick, që mori drejtimin e skuadrës në verën e vitit 2024, e ka bërë të qartë që në nisje se disiplinës nuk i bën kompromis.
Ai vendosi dhjetë rregulla strikte, me theks të veçantë te përpikmëria.
Mbrojtësi Jules Kounde e ka provuar më herët se trajneri gjerman nuk toleron vonesat.
Së fundmi, mesfushori Pedri konfirmoi ndryshimet në rregullore, duke zbuluar se çdo vonesë ndëshkohet me gjobë. Por ajo që ka tronditur më shumë është shifra: 10 minuta vonesë në ditën e ndeshjes mund të kushtojnë deri në 40,000 euro.
Edhe sulmuesi Ferran Torres reagoi me humor, duke thënë: “Nuk mund ta imagjinoj sa do të kushtonin 20 minuta”.
Me Barcelonën në krye dhe disiplinën në maksimum, duket se “epoka Flick” po ndërtohet mbi rregulla të hekurt – dhe askush nuk është mbi to.