Mashtrimi me Call Centera/ Apeli i GJKKO-së liron nga burgu 4 prej të arrestuarve
Gjykata e Posaçme e Apelit Antikorrupsion vendosi sot të lërë në burg Klaudio Kaçupi ndërsa liroi Elis Merkaj, Endri Gjata, Remir Gjoligaj dhe David Qerim.
Ata u arrestuan në kuadër të operacionit të SPAK kundër rrjetit të mashtrimit me Call Center ndaj shtetasve europianë dhe italianë.
Investigimi i emisionit investigativ italian ‘Le Iene’ në bashkëpunim me emisionin investigativ ‘Piranjat’ që transmetohet në Syri Tv zbuluan se mashtrimi financiar gjeneronte 25–30 milionë euro në muaj.
Në qendër të skemës qëndron një procedurë e planifikuar me kujdes. Viktimat fillimisht bindeshin të investonin shuma të vogla, zakonisht rreth 250 euro, për të hapur një platformë online që pretendonte të menaxhonte investimin.
Platforma shfaqte grafikë dhe shifra të manipuluara që tregonin fitime të mëdha, duke i bindur klientët të rrisnin investimet. Konsulentët seniorë i shtynin vazhdimisht të shtonin shumën e investuar.
Kur viktimat kërkonin të tërhiqnin paratë e fituara, operatorët zhdukeshin, telefonatat ndërpriteshin dhe platformat bëheshin të paarritshme. Sa më shumë klientë mashtrohen, aq më e lartë është përqindja e fitimeve që merr çdo operator dhe konsulent financiar në këtë call center.
Në kërkim vijojnë të jenë tre vëllezërit Agim Prekaj, Alfred Prekaj dhe Arjan Prekaj të cilët dyshohet se janë organizatorët e kësaj skeme që përmes mashtrimit kanë arritur të zhvasin dhjetëra miliona euro, qytetarëve të Bashkimit Evropian.