Ndalohet 21-vjeçari,vodhi pjesë këmbimi me vlerë 8 mijë euro në Shijak. Nën hetim edhe blerësi i mallrave

Një 21-vjeçar me inicialet E. D., banues në Manëz, është ndaluar pasi dyshohet se në periudha të ndryshme ka vjedhur pjesë këmbimi automjetesh me vlerë rreth 8 mijë euro në servisin e shtetasit K. K., në Shijak. Sipas të dhënave, ai i ka shitur më pas këto pjesë te shtetasi D. Sh., ndaj të cilit ka nisur procedim për përvetësim të mallrave që rrjedhin nga veprimtari kriminale.

Gjatë verifikimeve, në celularin e 21-vjeçarit u konstatuan edhe faqe që lidhen me veprimtari të kundërligjshme të lojërave të fatit. Pjesët e këmbimit dhe telefoni janë sekuestruar si prova materiale.

Njoftimi i Policisë:

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Shijak ndaluan me iniciativë shtetasin E. D., 21 vjeç, banues në Manëz, pasi dyshohet se në periudha të ndryshme, ka vjedhur në servisin e shtetasit K. K., pjesë këmbimi për automjete, me vlerë rreth 8000 euro, të cilat më pas ia ka shitur shtetasit D. Sh. Nga këqyrja e celularit të shtetasit E. D., u konstatuan faqe për veprimtarinë e kundërligjshme të lojërave të fatit. 
Për shtetasin D. Sh. nisi procedimi për veprën penale “Përvetësimi i parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose veprimtaria kriminale”. 
Celulari dhe pjesët e këmbimit për automjete u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. 

Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për një 17-vjeçar, sepse pas një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me shuplakë 2 bashkëmoshatarë. 

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.