'Kaos në Qafë Thanë'/ Rreth 30 kamionë bllokuar prej ditësh, drejtuesit përballen me mungesë ushqimi dhe uji

Situatë e rënduar në pikën kufitare të Qafë Thanë, ku rreth 30 kamionë me tonazh të rëndë kanë mbetur të bllokuar prej disa ditësh.

Shkak është bërë prishja e segmentit rrugor që përdorej si itinerar i zakonshëm Qafë Thanë–Elbasan, duke detyruar drejtuesit e mjeteve të ndryshojnë rrugëkalimin dhe të kalojnë përmes Maqedonisë së Veriut, gjë që ka rritur fluksin në pikën kufitare dhe ka krijuar pritje të gjata.

Sipas autoriteteve shqiptare, gjatë 24 orëve të fundit, 1510 shtetas kanë hyrë dhe 1703 kanë dalë në Qafë Thanë, një tregues i një volum më të lartë lëvizjeje se zakonisht për shkak të devijimeve të detyruara të trafikut.

Kamionistët, shumica turq, kanë qëndruar të bllokuar 2-3 ditë, duke përjetuar mungesë ushqimi, uji dhe kushte bazike.

Disa janë parë duke gatuar pranë kamionëve të tyre në kushte të improvizuara, për të siguruar një vakt të ngrohtë pas orëve të gjata pritjeje.

Ata shprehen se vonesat u shtojnë stresin, duke pasur familje dhe fëmijë që i presin në shtëpi.

Pamjet e siguruara nga redaksia tregojnë radha e kamionëve që lëviz ngadalë dhe vështirësitë me të cilat përballen drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë, ndërsa situata mbetet kritike dhe pritjet vazhdojnë.

"Kemi rreth 1 javë që presim. Na vjen keq por kemi familje. Unë kam 1 fëmijë 2 vjeç. Dmth fiks u bënë 4 ditë dhe po na mbaron ushqimi, uji, e me sa di unë edhe 1 vakt kam e më pas do pi dhe kafen e fundit.

Rrimë shtrirë brënda në kamion por edhe nafta po na mbaron, duhet të ikim poshtë të marrim naftë. Të presësh në këto kushte është e vështirë. Nga këtu do ikim në Durrës e me lejën e Zotit dalim nga Shqipëria sa të hapet rruga"- shprehet njëri prej kamionistëve.