Nuk gjurmuan paratë, as drogën por të dashurën! Si u zbulua strofulla e bosit më të fuqishëm në Meksikë

Zyrtarët më të lartë të sigurisë zbulojnë detaje të operacionit që çoi në vdekjen e kreut më të kërkuar të kartelit të drogës në Meksikë.

Për të gjetur njeriun më të kërkuar të Meksikës, bosin e drogë zyrtarët e sigurisë thanë se nuk ndoqën paratë apo gjurmët e drogës. Por, të dashurën e tij.

Sipas autoriteteve, ishte ajo që i çoi në malet e pyllëzuara të shtetit Jalisco, në vendin ku Nemesio Oseguera Cervantes — lideri famëkeq i kartelit i njohur si “El Mencho” — fshihej prej të paktën të premtes.

Shpejt u organizua operacioni i arrestimit të njërit prej kriminelëve më të pamëshirshëm të vendit, thanë zyrtarët meksikanë të hënën gjatë një konference për shtyp.

Operacioni përfundoi me një përplasje të ashpër me armë, ku u vranë disa persona të dyshuar si anëtarë të kartelit. Oseguera mbeti i vrarë gjatë përplasjes me armë.

Pasi lajmi për vdekjen e tij u bë publik, Meksika shpërtheu në trazira.

Operacioni i befasishëm duket si një fitore e madhe në ofensivën e re të Meksikës kundër karteleve të drogës, e cila mund të ndihmojë në uljen e presionit nga Presidenti Trump, i cili kishte kërcënuar me ndërhyrje kundër të njëjtave grupe kriminale. Por vendi u zhyt në kaos, pasi grupe të armatosura u hakmorën në 20 nga 32 shtete. Ata sulmuan forcat e sigurisë, bllokuan autostrada dhe i vunë zjarrin supermarketeve, bankave dhe automjeteve. Të paktën 62 persona raportohen tw vrarw.

Linjat ajrore dhe kompanitë e autobusëve anuluan udhëtime, duke lënë të bllokuar udhëtarë, përfshirë mijëra turistë në destinacione bregdetare si Puerto Vallarta, një qendër e madhe turistike në bregun Paqësor të Meksikës.

Deri të hënën pasdite, rendi dukej se ishte rikthyer në pjesën më të madhe të vendit.

Në fjalimin e saj të përditshëm në mëngjes, Presidentja e Meksikës, Claudia Sheinbaum, tha se bllokadat në autostrada ishin hequr. Megjithatë, atmosfera mbeti e tensionuar në disa zona. Shkollat dhe bizneset qëndruan të mbyllura në disa prej rajoneve më të goditura dhe shumë banorë preferuan të qëndronin në shtëpi.

“Gjëja më e rëndësishme në këtë moment është të garantojmë paqen dhe sigurinë për të gjithë popullsinë e Meksikës,” tha Sheinbaum.

Oseguera e krijoi kartelin e Jalisquitos rreth 15 vjet më parë, pasi u shkëput nga Karteli rival i Sinaloas. Aktivitetet e kartelit përfshijnë trafik droge, zhvatje, rrëmbime dhe trafikim migrantësh. Oseguera kishte reputacion për sulme ndaj forcave të sigurisë dhe terrorizimin e komuniteteve. Departamenti Amerikan i Shtetit kishte ofruar një shpërblim prej 15 milionë dollarësh për informacion që çonte në arrestimin e tij.

Kjo është hera e parë që ushtria meksikane vret një lider të lartë të kartelit të drogës në vend.

Operacioni nisi të premten, kur zyrtarët e inteligjencës meksikane gjurmuan një burrë të afërt me një nga “partneret romantike” të Osegueras, siç e përshkroi gjenerali Trevilla. Ai tha se personi e kishte çuar gruan për tw takuar Osegueran në Tapalpa, në shtetin Jalisco, një qytet kolonial në zonën rurale të bastionit të kartelit.

Të nesërmen, gruaja u largua  ndërsa Oseguera qëndroi me ekipin e tij të sigurisë, tha gjenerali. Forcat speciale meksikane nisën më pas planifikimin e kapjes së tij.

Ata hynë në qytetin e vogël Tapalpa herët në mëngjesin e së dielës (22 shkurt) . Sapo kuptuan qw ishin tw rrethuar  Oseguera u arratis, ndërsa nisi një betejë mes trupave dhe ekipit të sigurisë së kreut të kartelit.

Bashkëpunëtorët e tij kishin një “sasi të madhe armatimi”, tha gjenerali.

 “Ishte një sulm shumë i dhunshëm,” shtoi ai. Autoritetet meksikane u kundërpërgjigjën dhe tetë persona të dyshuar si anëtarë karteli u vranë.

Më pas, forcat speciale gjurmuan Osegueran dhe një grup tjetër bashkëpunëtorësh në një zonë të pyllëzuar aty pranë. “E gjetën të fshehur mes shkurreve,” tha gjenerali.

Gjenerali Trevilla tha se grupi i Osegueras kishte një hedhës raketash që ishte përdorur edhe në vitin 2015 për të rrëzuar një helikopter ushtarak në Jalisco, duke vrarë nëntë efektivë sigurie që po kërkonin liderin e kartelit. Ai tha se autoritetet arritën t’i pengonin ta përdornin këtë herë, por bashkëpunëtorët e Osegueras gjithsesi dëmtuan një helikopter ushtarak aty pranë, i cili u detyrua të bënte ulje emergjente.

Autoritetet meksikane thanë se arrestuan 70 persona dhe vranë 34 të dyshuar si anëtarë karteli gjatë kaosit në mbarë vendin të dielën, ndërsa 25 efektivë të Gardës Kombëtare ishin mes viktimave. Mediat lokale raportuan se një nga civilët e vrarë ishte një grua shtatzënë, e cila u gjend në mes të shkëmbimit të zjarrit. /nytimes/