'Kaos total në aksin Librazhd-Prrenjas'/ Rruga shembet komplet, banorët të bllokuar (PAMJE DRAMATIKE)

Redaksia e Syri Televizion ka siguruar pamjet ekskluzive nga situata dramatike në aksin Librazhd-Prrenjas, ku rruga është shkatërruar totalisht pas një rrëshqitjeje masive dheu.  Ura kryesore dhe bypass-i provizor i ndërtuar ditët e fundit janë shembur plotësisht, duke izoluar banorët e zonës për pesë ditë me radhë.

Situata është thelluar dhe rreziku për banorët dhe udhëtarët është maksimal. Asnjë mjet nuk mund të kalojë, madje as këmbësorët, dhe autoritetet kanë ndaluar lëvizjen.

Përveç izolimit, rrëshqitja ka dëmtuar edhe një shtyllë të tensionit të lartë, duke lënë pa energji elektrike tetë fshatra në zonën e Librazhdit.

LEXO EDHE: 'Kaos në aksin Librazhd-Prrenjas', Gazetarja: Banorët të izoluar prej 5 ditësh, e gjithë juglindja e bllokuar

Punonjësit e OST ndodhen në terren për riparimin e rrjetit, por riparimi i rrugës mbetet i pamundur për shkak të rrezikut të vazhdueshëm.

Rrugët alternative janë të limituara dhe shumë problematike.

LEXO EDHE: Vijojnë shembjet/ Situata në aksin Librazhd - Përrenjas përkeqësohet – Pritet relacioni i Shërbimit Gjeologjik

Rruga zyrtare alternative Moglicë-Gramsh shton udhëtimin me 2–3 orë, ndërsa rruga e vjetër Egnatia është pothuajse e shkatërruar, e ngushtë dhe e rrezikshme, por shumë banorë e përdorin si zgjidhje emergjente.

Situata mbetet kritike, ndërkohë që premtimi për hapjen e rrugës është shtyrë pa afat.