'Kaos në aksin Librazhd-Prrenjas', Gazetarja: Banorët të izoluar prej 5 ditësh, e gjithë juglindja e bllokuar
Kaos në aksin Librazhd-Prrenjas: Rruga shembet, banorët të izoluar prej 5 ditësh, e gjithë juglindja e bllokuar Situatë kaotike në juglindje të vendit, ku aksi kombëtar Librazhd-Prrenjas vijon të jetë i bllokuar për të pestën ditë me radhë, duke izoluar totalisht këtë rajon nga pjesa tjetër e Shqipërisë.
Një rrëshqitje masive dheu, e shkaktuar nga punimet për ndërtimin e një rruge të re, ka shkatërruar plotësisht rrugën ekzistuese dhe ka shembur një pjesë të urës në vendin e quajtur “Arrat e Gurrës”.
Gazetarja e Syri televizion, Margarita Mhillka raporton se situata në terren paraqitet dramatike dhe përkeqësohet vazhdimisht.
Sipas Mëhillkës, shembja është thelluar me të paktën 10 metra të tjerë, ndërsa edhe një bypass provizor i ndërtuar ditët e fundit është shembur gjithashtu, duke e bërë të pamundur kalimin jo vetëm për automjetet, por edhe për këmbësorët.
Për shkak të rrezikut të lartë, autoritetet kanë ndaluar plotësisht lëvizjen e njerëzve, duke i lënë banorët të bllokuar.
Pasojat për komunitetin janë të rënda. Rrëshqitja e dheut ka dëmtuar një shtyllë të tensionit të lartë, duke lënë pa energji elektrike banorët e tetë fshatrave në zonën e Librazhdit.
Punonjësit e Operatorit të Sistemit të Transmetimit (OST) ndodhen në terren duke punuar për menaxhimin e situatës me rrjetin elektrik, por asnjë punëtor tjetër nuk është i pranishëm për riparimin e rrugës për shkak të rrezikut të vazhdueshëm të shembjeve. Banorët dhe udhëtarët janë të detyruar të përdorin rrugë alternative, të cilat janë tejet problematike.
Rruga zyrtare alternative është ajo Moglicë-Gramsh, e cila shton udhëtimin me 2 deri në 3 orë.
Të dëshpëruar, shumë drejtues mjetesh, të orientuar nga banorët lokalë, kanë rrezikuar duke kaluar nëpër rrugën e vjetër Egnatia, nga fshati Hotolisht në Spathar.
Kjo rrugë është pothuajse e shkatërruar, e paasfaltuar dhe tejet e rrezikshme, por për shumë njerëz ka qenë e vetmja mundësi në raste urgjence.
Ndërkohë, një premtim i dhënë se rruga do të hapej është shtyrë pa afat, duke shtuar pasigurinë.
Deklarata e plotë:
"Ditën e sotme ndodhemi në zonën e Dragostunjës, pikërisht në aksin nacional Librazhd-Prrenjas, në vendin e quajtur Arrat e Gurrës, ku që prej pesë ditësh rruga vijon të jetë e bllokuar si pasojë e rrëshqitjes masive e cila ka shëmbur pjesën e urës, ndërkohë gjithashtu edhe pjesën e bypass-it provizor të hapur ditët e fundit.
Situata paraqitet më kritike ditën e sotme, ku shëmbja është thelluar me 10 m të tjerë, ndërkohë që punëtorët dhe inxhinierët e OST-së janë duke operuar në zonë për të hequr të gjitha telat nga shtylla e tensionit të lartë 110 kV.
Ndërkohë që kjo situatë ka shkaktuar problematika jo vetëm tek banorët e zonës, të fshatit Dragostunjës, por dhe të Prrenjasit, por dhe në të gjithë juglindjen, duke përfshirë këtu qytetarët e Pogradecit, por dhe të Korçës, të cilët janë detyruar të marrin rrugën alternative të Gramshit dhe Moglicës.
Ndërkohë që të orientuar nga banorët e zonës, ka pasur nga ata drejtues automjetesh të cilët kanë marrë rrugën e fshatit, pra rrugën e vjetër Egnatia, e cila të çon në fshatrat Spathar deri në Hotolisht, duke dalë kështu në Librazhd, ndonëse kjo është një ndër rrugët më problematike të para ditët e fundit dhe nga vetë drejtuesit e automjeteve të cilët shprehin shqetësimin lidhur me këtë situatë dhe se kalimi në këtë rrugë ka qenë shumë i vështirë, por situata i ka detyruar të kalojnë në ato kushte ekstreme, ku rruga është thuajse e shkatërruar dhe shumë e ngushtë për të kaluar dy mjete në të njëjtën kohë.
Ndërkohë që situata e paralajmëruar ditën e djeshme se rruga do të hapej gjatë pasdites, është shtyrë në fakt pa një njoftim duke mos lënë asnjë njoftim tjetër për kohën më të afërt kur kjo rrugë do të hapet.
Ndërkohë që po shihen të gjitha mundësitë dhe opsionet për të hapur një rrugë tjetër alternative e cila aktualisht mendohet se do të krijohet në anë të rrugës ekzistuese pranë hekurudhës, por ende nuk është marrë një vendim lidhur me këtë situ
Që prej ditës së djeshme, por dhe gjatë ditës së sotme nuk lejohet, është pezulluar dhe ndaluar i gjithë kalimi edhe qoftë nga kalimtarët, për shkak të rrezikut që ofron kjo rrugë, duke qenë se ura është shëmbur totalisht, por dhe pjesa tjetër ku ne kemi transmetuar dhe pamjet gjatë ditës së djeshme, por dhe më parë, është ka pësuar një çarje më të thellë dhe një shëmbje totale".