'Juglindja e izoluar', Çapja: Dështim total i qeverisë, miliona euro të shkuara dëm ose në xhepat e...
Situata në aksin rrugor Librazhd-Prrenjas ka pësuar një përkeqësim dramatik gjatë ditëve të fundit, duke kaluar nga një bllokim i pjesshëm në një paralizë totale që ka izoluar të gjithë juglindjen e vendit. Sipas deputetes së Partisë Demokratike Klodian Çapja që ishte e ftuar në emisionin e mëngjesit “Kafe Shqeto” në Syri tv, qindra qytetarë dhe biznese kanë mbetur të bllokuar, ndërsa autoritetet duket se nuk kanë një plan të qartë për zgjidhjen e krizës.
Problemet nuk ndalen këtu. Një shtyllë e tensionit të lartë, jetike për furnizimin me energji elektrike të një pjese të madhe të bashkive Librazhd dhe Prrenjas, ka pësuar lëvizje, duke shkaktuar ndërprerje të gjata të energjisë për mijëra banorë. Situata i lënë qytetarët jo vetëm pa rrugë, por edhe pa drita.
Në bisedë më moderatorin Flavio Qarri deputetja e qarkut Elbasan, tha se kjo fatkeqësi ishte e paralajmëruar. Ajo denoncon se prej dy muajsh ka pasur sinjale të qarta, përfshirë një rrëshkitje të mëparshme në zonën e Dragostunjës, si dhe paralajmërime të vazhdueshme nga media dhe ekspertët. Pavarësisht kësaj, sipas saj, asnjë masë parandaluese nuk u mor nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) apo Ministria e Infrastrukturës. Deputetja Çapja thekson se e ka ngritur këtë shqetësim dy herë në Kuvendin e Shqipërisë vetëm gjatë muajit të fundit, por pa asnjë reagim.
Ky bllokim ka një kosto të lartë ekonomike, duke ditur se aksi është pjesë e Korridorit të Tetë, i cili gjeneron rreth 1.2 miliardë euro në vit nga tregtia import-eksport me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. “Situata aktuale nxjerr në pah një dështim të thellë në planifikimin dhe menaxhimin e infrastrukturës kritike të vendit”, tha deputetja.
Flavio Qarri: Pyetja është e thjeshtë. E para njëherë, duket sikur këto katër ditë kemi shkuar nga shiu në breshër, keq e më keq, përjashto kohën që është vetëm diell. Si ka mundësi që po përkeqësohet gjithmonë e më shumë situata në aksin e juglindjes?
Klodiana Çapja: Atëherë, situata, sikurse e thatë ju, po shkon drejt përshkallëzimit për më keq. Personalisht kam prej disa ditësh që qëndroj në aksin Librazhd-Prrenjas, ku janë bllokuar jo vetëm qytetarët e Bashkisë Librazhd dhe Prrenjas, por e gjithë juglindja. Gjithmonë ARRSH-ja është përpjekur të nxitohet dhe të justifikohet me faktin e kushteve atmosferike. Dje dëgjova një deklaratë të drejtorit të ARRSH-së në një ndër televizionet kombëtare, ku tashmë nga kushtet atmosferike, faji na doli që është i erozionit dhe këtë e kanë kuptuar vetëm ditën e djeshme. Ndërkohë që ne kemi qenë në zonë, sipas deklaratës së bërë pak ditë më përpara pikërisht nga drejtori i ARRSH-së, për të pritur hapjen në mesditë të një aksi provizor, për të lehtësuar qarkullimin e qindra qytetarëve që kanë mbetur të bllokuar. Dje pikërisht kemi gjetur që në orët e para të mëngjesit një situatë akoma më të rënduar. Jo më vetëm një rrugë ndihmëse që do të lehtësonte qarkullimin e qytetarëve, por një rrëshkitje të kësja rruge, për të cilin kishin 24 orë që punonin në mënyrë intensive.
Kishim rënie të trasesë së hekurudhës. Dhe problemi i cili gjykoj që është ndër problemet akoma më shqetësuese për zonën, është se kemi një lëvizje dhe një rrëshkitje të shtyllës e cila furnizon me energji elektrike pjesën më të madhe të zonave në Librazhd dhe Prrenjas. Banorët e Librazhdit dhe të Bashkisë Prrenjas, kanë mbetur me orë të tëra pa energji elektrike. Sikur të mos mjaftojë bllokimi i rrugës, kemi dhe këtë problematikë tjetër, e cila sigurisht është marrë zero masë për t'u parandaluar derisa është bërë fakt te qytetarët.
Flavio Qarri: Megjithatë, zonja Çapja, nëse Ministria e Infrastrukturës, ARRSH-ja thonë që janë në terren, nëse firma është në terren, nëse ka dhjetëra miliona që janë hedhur aty, pse s'po rregullohet situata?
Klodiana Çapja: Në terren mund të jenë tashmë dhe të qëndrojnë 24 orë aty, por kur është vonë, është vonë. Ne kemi gati dy muaj që e paralajmërojmë situatën dhe nuk ka qenë askush në terren, as për të marrë masa parandaluese dhe as për të bërë inspektim. Sikurse ne, për fat, dhe natyra ka dhënë sinjale paralajmëruese, sepse është hera e dytë që ndodhin rrëshkitje në zonën e Dragostunjës. Kanë dhënë paralajmërime gazetarët dhe media, dhe asnjë masë parandaluese. Dhe vetë, si deputete dhe përfaqësuese e qarkut, kam qenë në zonë, kam dëgjuar shqetësimet dhe problematikat e banorëve. I kam ngritur jo më larg se brenda këtij muaji dy herë në Kuvendin e Shqipërisë, dhe asnjë masë parandaluese. Dje ishin 24 orë në terren dhe drejtori i ARRSH-së, dhe drejtori i infrastrukturës, dhe drejtori i OSHEE-së dhe kushdo që të vijë, nuk i jep dot më zgjidhje situates. Sepse degradimi ka shkuar deri në atë farë feje që asnjë gjë nuk i jep dot më zgjidhje.
Siikurse dëgjuam mbrëmë nga deklarata e drejtorit të ARRSH-së, kur tha, "Rruga ka rrëshqitje aktive dhe do të presim për të bërë ndërhyrje vetëm kur të na e mundësojë natyra." Që do të thotë, asnjë përgjigje për banorët, për qytetarët që duan të kalojnë në këtë aks. Asnjë përgjigje për pacientët që kanë nevojë për një ndërhyrje më të specializuar drejt Tiranës, për urgjenca mjekësore dhe akoma më keq, zero informacion apo zgjidhje për qindra biznese që mbeten të izoluar nga ky aks i bllokuar.
Nuk e di, po sipas të dhënave të INSTAT-it, lidhja që bën aksi i korridorit të tetë i sjell ekonomisë, import-eksport, 1.2 miliardë euro me Maqedoninë e Veriut dhe Greqinë. Këtu mund ta marrim me mend se çfarë dëmi i kemi bërë jo vetëm qytetarëve, por edhe bizneseve.
Flavio Qarri: Megjithatë, në dekadën e fundit, ndoshta dhe pak më gjerë se aq, vetëm për të shkuar nga Tirana në Korçë, qytetarët shqiptarë kanë paguar gati 1 miliard euro. Plus-minus, për të mos u bërë shumë të saktë me shifrat. Gati 1 miliard euro për të shkuar nga Tirana në Korçë, dhe në 2026-ën ne nuk shkojmë dot fare nga Tirana në Korçë.
Klodiana Çapja: Dhe madje pikërisht ky korridor, korridori i tetë, u bë propagandë se do të ishte ndër kryeveprat e mëdha infrastrukturore. U bë gjithashtu propagandë se qytetarët e Tiranës do ta aksesojnë Korçën për 1 orë e 30 minuta. Sikurse e thatë ju, miliona euro të hedhura dëm, miliona, jo të hedhura dëm, miliona euro në xhepat e qeveritarëve dhe zero zgjidhje për taksapaguesin shqiptar që paguajnë për të marrë shërbimet minimale që është aksesimi i një aksi rrugor. Nuk mundet të ketë infrastrukturë rrugore kur tenderat janë të paracaktuar, kur kompanitë janë të paracaktuara, kur rrugët bëhen pa studime, dhe kur merren zero masa parandaluese edhe kur evidentohen probleme përgjatë rrugës. Kjo është qartazi një dështim i qeverisë, një dështim i ministres së Infrastrukturës, një dështim i autoritetit përgjegjës që është ARRSH-ja.