Loftus-Cheek operohet me sukses në nofull, mësohet kur do të rikthehet në fushë
Milan konfirmoi se Ruben Loftus-Cheek ka pësuar një dëmtim të rëndë në fytyrë, që i ka shkaktuar frakturë në procesin alveolar të nofullës. Mesfushori anglez u shtrua në repartin e Kirurgjisë Maksilo-Faciale dhe Klinikës Odontoiatrike të spitalit “ASST Santi Paolo e Carlo”, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale nga doktori Luca Autelitano.
Operacioni për reduktimin dhe stabilizimin e frakturës rezultoi plotësisht i suksesshëm. Klubi bëri të ditur se lojtari është në gjendje të mirë shëndetësore dhe tashmë është larguar nga spitali. Sipas parashikimeve mjekësore, koha e rikuperimit do të jetë rreth tetë javë, çka do ta mbajë jashtë fushave për një periudhë të konsiderueshme.
Edhe vetë Loftus-Cheek reagoi në rrjetet sociale, duke theksuar se momenti i vështirë tashmë ka kaluar. Ai falënderoi stafin mjekësor për profesionalizmin dhe kujdesin e treguar, si dhe tifozët për mbështetjen e vazhdueshme. Mesfushori anglez nuk harroi të shprehte mirënjohjen edhe për shokët e skuadrës, duke theksuar se grupi mbetet i bashkuar dhe i fokusuar në objektivat e sezonit.