San Antonio vazhdon serinë perfekte, triumfojnë edhe Sacramento e Houston
San Antonio Spurs vazhdojnë momentin fantastik në NBA, duke regjistruar fitoren e nëntë radhazi. Skuadra teksane mposhti në transfertë Detroit Pistons me rezultatin 114-103, duke konfirmuar formën e shkëlqyer dhe ambiciet e mëdha për këtë sezon. Spurs zhvilluan një ndeshje të balancuar në të dy anët e parketit, me të gjithë titullarët që realizuan mbi 10 pikë. Protagonisti kryesor ishte Devin Vassell, që e mbylli takimin me 28 pikë dhe udhëhoqi ekipin drejt një tjetër suksesi të rëndësishëm.
Fitore në transfertë siguroi edhe Sacramento Kings, që kaluan 123-114 Memphis Grizzlies. Ndeshja ishte e luftuar, por diferencën e bëri përvoja e Russell Westbrook, autor i 25 pikëve dhe disa aksioneve vendimtare në momentet kyçe.
Ndërkohë, Houston Rockets nuk hasën vështirësi përballë Utah Jazz, duke triumfuar 125-105. Sfida pati pak histori, pasi teksanët dominuan nga fillimi në fund. Lider absolut ishte Jabari Smith Jr. me 31 pikë. Me këtë sukses, Houston Rockets konsolidojnë vendin e tretë në Konferencën e Perëndimit, duke dhënë sinjale të qarta për objektiva madhorë në këtë edicion.