Planet për një sulm ndaj Iranit, 'The Guardian': Me kë po konsultohet Trump dhe pse mendimi i Witkoff dhe Kushner konsiderohet vendimtar

Vendimi i Donald Trump për të urdhëruar sulme ajrore kundër Iranit do të varet pjesërisht nga informacionet që do t’i përcjellin të dërguarit e tij të posaçëm, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, lidhur me faktin nëse Teherani po zvarrit arritjen e një marrëveshjeje për heqjen dorë nga aftësia për të prodhuar armë bërthamore.

[trump shhba]

Sipas “The Guardian”, Presidenti amerikan nuk ka marrë ende një vendim përfundimtar për sulme të mundshme ndaj Iranit, ndërsa Uashingtoni përgatitet të presë propozimin e fundit të Teheranit përpara negociatave të së enjtes në Gjenevë.

Në këto bisedime, SHBA do të përfaqësohen nga dyshja Kushner–Witkoff, ndërsa vlerësimi i tyre për gjasat e arritjes së një marrëveshjeje pritet të ndikojë drejtpërdrejt në llogaritjet e Trump.

Nëse nuk arrihet marrëveshje, Trump u ka thënë këshilltarëve të tij se po shqyrton mundësinë e sulmeve të kufizuara për të ushtruar presion ndaj Iranit dhe, nëse kjo dështon, një ofensivë shumë më të gjerë me synim imponimin e një ndryshimi regjimi.

Një zyrtar amerikan deklaroi të hënën se Witkoff ka qenë pjesë e ekipit që këshillon Trump mbi mënyrën se si duhet të veprojë ndaj Iranit dhe ka marrë pjesë në të gjitha takimet që lidhen me këtë çështje.

Donald Trump ka marrë disa informime mbi opsionet ushtarake, përfshirë edhe atë më të fundit të mërkurën në Sallën e Situatave në Shtëpinë e Bardhë. Javët e fundit ai ka kërkuar gjithashtu mendimet e një game të gjerë zyrtarësh mbi hapat që duhet të ndërmerren ndaj Iranit.

Mes figurave nga të cilat presidenti ka kërkuar këshilla janë zëvendëspresidenti JD Vance, sekretari i Shtetit Marco Rubio, drejtori i CIA John Ratcliffe, sekretari i Mbrojtjes Pete Hegseth, gjenerali Dan Caine, shefja e stafit të Shtëpisë së Bardhë Susie Wiles dhe drejtoresha e Inteligjencës Kombëtare Tulsi Gabbard.

Sipas “The Guardian”, Vance ka paraqitur argumente si pro ashtu edhe kundër bombardimeve ajrore, por raportohet se ka ushtruar presion ndaj gjeneralit Caine lidhur me rreziqet e mundshme, kryesisht sepse nuk është aq i sigurt për suksesin e një sulmi ndaj Iranit krahasuar me operacionin për kapjen e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro.

Caine ka shprehur më hapur shqetësimet e tij në Pentagon sesa gjatë informimeve për Trump, në një përpjekje, sipas zyrtarëve, për të mos u dukur sikur mbështet një kurs të caktuar veprimi.

Në një deklaratë, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, tha se Caine është “një profesionist shumë i respektuar, puna e të cilit kërkon ofrimin e informacioneve të paanshme për komandantin e përgjithshëm të forcave të armatosura, gjë që ai e bën në mënyrë të përkryer”, duke theksuar se nuk ka shprehur opinione personale.

Megjithatë, brenda administratës ekziston pasiguri nëse sulmet ajrore do të mjaftonin për ta detyruar Iranin të pranojë një marrëveshje me SHBA apo edhe për të çuar në rrëzimin e udhëheqësit suprem Ali Khamenei dhe rrethit të tij të ngushtë.

Për këtë arsye, zyrtarë të administratës Trump kanë shqyrtuar edhe zgjidhje të mundshme për të shmangur përplasjen ushtarake. Mes ideve të diskutuara është lejimi i Iranit për të mbajtur një kapacitet të kufizuar të pasurimit të uraniumit vetëm për kërkime mjekësore, trajtime apo qëllime të tjera joushtarake.

Rubio pritet të udhëtojë gjithashtu në Izrael për të informuar kryeministrin Benjamin Netanyahu në takimet e planifikuara për 28 shkurt lidhur me rezultatin e negociatave, sipas dy personave të njohur me çështjen.

Ndërkohë, SHBA kanë grumbulluar fuqinë më të madhe ajrore në Lindjen e Mesme që nga pushtimi i Irakut në vitin 2003. Aeroplanmbajtësja USS Gerald R. Ford, më e avancuara e marinës amerikane, ndodhet tashmë në Souda dhe pritet të mbërrijë në rajonin e Lindjes së Mesme në ditët në vijim.

Sipas vlerësimeve, ky dislokim forcash do t’i japë Trump mundësinë të ndërmarrë një fushatë të gjerë ajrore kundër Iranit, në vend të një sulmi të kufizuar si operacioni i verës së vitit 2025, kur bombarduesit Northrop B-2 Spirit u nisën nga SHBA për të goditur një numër të vogël objektesh të pasurimit të uraniumit në Fordow, Isfahan dhe Natanz.