Bushati: ‘Amnistia’ nga Washington për ish-krerët e UÇK, më shumë mbështetje morale se rezultat konkret

Analisti Andi Bushati, në studion e ‘Çim Peka Live’ në Syri TV, ka komentuar zhvillimet rreth ish-krerëve të UÇK-së që po përballen me gjykimin në Hagë.

Sipas tij, çdo deklaratë apo qëndrim publik që u bë nga Rama në Washington, ka më shumë vlerë simbolike dhe morale për të akuzuarit sesa ndikim real në procesin gjyqësor. Bushati theksoi se edhe nëse përmendet emri i Donald Trump, nuk ka gjasa që të ketë ndërhyrje konkrete në vendimmarrjen e Gjykatës së Hagës, ndërsa për kryeministrin Edi Rama kjo përkthehet më tepër në kapital politik sesa në rezultat juridik.

Andi Bushati: Me sa duket, jo vetëm Hashimi po të katërt ata burra kanë marrë një rrugë të keqe, të paktën pa vajtur në një shkallë të dytë të gjykimi. Por problemi është, edhe kur ke marrë një rrugë të keqe, edhe kur e di që nuk e kthen kursin e një gjykate, qoftë dhe duke ndërhyrë te Trump, njerëz që kanë pasur poste të larta politike, përveç atij interesit të menjëhershëm të shpëtojnë ndonjë vit burg, ka nevojë edhe për një lloj mbështetje morale apo njohje të rolit të tyre. Dhe ti të jesh në burg në Hagë dhe të dëgjosh që diku larg në Washington, përpara presidentit të Shteteve të Bashkuara, ti amnistohesh për ato që ke bërë. Pra, për mua është më tepër një mbështetje morale sesa një akt diplomatik i Ramës, i cili të ketë aq fuqi bashkë me Vjosën sa ta detyrojnë Trump të ndërhyjë te Gjykata e Hagës. Kështu që e shoh thjesht, Rama merr aureolën e heroit që mbrojti komandantët, Hashim Thaçi, Kadri Veseli ndihen me satisfaksion moral, rezultati konkret është zero, po edhe kënaqësitë e vogla nganjëherë s'duhen përjashtuar pavarësisht se janë pa rezultat.