Fiorentina ‘merr frymë’, fitore që trazon fundin e tabelës në Serie A

Fiorentina ka siguruar fitoren e dytë radhazi në kampionat, duke iu afruar ndjeshëm objektivit të mbijetesës në Serie A dhe duke ndezur garën e fortë në fundin e tabelës.

Skuadra e drejtuar nga Paolo Vanoli triumfoi 1-0 ndaj Pisës falë golit të realizuar nga Moise Kean në minutën e 13-të.

Goli i hershëm rezultoi vendimtar, duke i dhënë Fiorentinës tre pikë të arta dhe mundësinë për t’u ngjitur në kuotën e 24 pikëve, po aq sa Lecce dhe Cremonese.

Ky sukses i jep skuadrës nga Firence shanse shumë më të mëdha për mbijetesë, ndërsa situata në fundin e renditjes bëhet gjithnjë e më kaotike.

Vetëm pesë pikë ndajnë vendin e 13-të, që aktualisht mbahet nga Cagliari, nga vendi i 18-të që të dërgon në Serie B.

Kjo diferencë minimale e bën çdo javë vendimtare për disa skuadra njëkohësisht, duke e kthyer luftën për mbijetesë në një nga betejat më dramatike të sezonit në elitën e futbollit italian.