'Ndryshimi politik, zgjidhja e vetme'/ Këlliçi: Të rinjtë largohen, qeveria injoron krizën e shpopullimit

Deputeti i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi, mori pjesë në një bashkëbisedim mbi shpopullimin e Shqipërisë, duke e cilësuar si sfidën më delikate dhe shqetësimin kryesor kombëtar.

Ai theksoi se vendi ka plakur me ritme të larta gjatë 10 viteve të fundit, lindshmëria është ulur ndjeshëm, dhe 40% e popullsisë ka emigruar, kryesisht të rinjtë dhe profesionistët.

Këlliçi prezantoi programin e PD-së për dy drejtimet: krijimin e kushteve që të rinjtë të qëndrojnë dhe të krijojnë familje, dhe paketat stimuluese për rikthimin e emigrantëve. Ai kritikoi qeverinë për mosmarrjen e masave dhe theksoi se ndryshimi politik është i nevojshëm për të ndalur shpopullimin.

Ai vlerësoi nismën e fondacionit Westminster Foundation for Democracy dhe Ambasadës Britanike në këtë fushë.

Këlliçi:

Ishte kenaqësi pjesmarrja sot në bashkëbisedimin ku trajtuam temën më delikate dhe sfiduese që ndesh sot Shqipëria, që është shpopullimi. 
Këmbanat po bien për këtë alarm që po e vë seriozisht në rrezik vendin dhe të ardhmen tonë. E vlerësoj shumë këtë nisëm të fondacionit Westminster Foundation for Democracy dhe Ambasadës Britanike.

Që në krye, theksova se ky është një shqetësim kombëtar që kalon interesat vetjake apo partiake dhe duhet të jetë mbi të gjitha prioritetetet. 
Për 10 vitet e fundit, Shqipëria është plakur me ritme të frikshme. Në 2015 mosha mesatare këtu ishte 34 vjeç, nga më të rejat në Europë dhe sot është 44.3 vjeç, njësoj si në vendet e BE.

Lindshmëria sot, është 74 përqind më e ulët se në vitin 1991, dhe kemi plakjen me ritme më të larta në kontinent dhe 300% më të shpejtë se vendet e rajonit. Në dekadën e fundit 40 përqind e popullsisë e la vendin, dhe këtu dominon pjesa vitale, rinia dhe profesionistët.
Bëra të ditur programin e PD në dy kolona. 

Së pari për të krijuar kushte që të rinjtë dhe specialistët e zotë të kenë kushte dhe nxitje për të qëndruar e krijuar familje këtu. Dhe së dyti, paketa të plota për të stimuluar rikthimin me anë të lehtësimeve të ndryshme fiskale dhe mbështetjes qeveritare.

Për fat të keq, për qeverinë, shpopullimi nuk është shqetësim, pasi kjo plagë nuk është pjesë as e politikave as e mesazheve të saj. Që të ndalohet kjo hemoragji e të ketë një kthesë pozitive, duhet më së pari të ketë zgjedhje të lira e të ndershme ku të mundësohet rrotacioni. 
Vetëm me ndryshimin politik, do të ketë dhe ndryshim në këtë drejtim.