E premtja e përgjakshme/ Tri ngjarje të rënda brenda pak minutash në kryeqytet: një i vrarë dhe dy të plagosur, ende asnjë i arrestuar
Tre episode të rënda kriminale u regjistruan në kryeqytet të premten, më 20 shkurt, duke lënë pas një viktimë dhe dy të plagosur.
Brenda pak minutash, në zona të ndryshme të qytetit, u shënuan një vrasje me thikë dhe dy plagosje, një me armë zjarri dhe një tjetër me mjet prerës. Pavarësisht se autorët janë identifikuar nga policia, ata vijojnë të jenë në arrati.
Ngjarja më e rëndë ishte vrasja e 31-vjeçarit Egli Pashollari, i cili humbi jetën pas një konflikti të çastit në zonën e ish-Parkut, pranë banesës së tij. Sipas hetimeve paraprake, sherri nisi për motive të dobëta, pasi autori i dyshuar, Gazmend Buçpapaj, kishte bllokuar rrugën me automjetin e tij.
Debati verbal degjeneroi në përplasje fizike dhe përfundoi me goditje me thikë. Pas krimit, i dyshuari u largua në këmbë së bashku me bashkëshorten dhe më pas mori një taksi për t’u kthyer në banesë, ku policia humbi gjurmët e tij.
Rreth dhjetë minuta më vonë, një tjetër ngjarje e armatosur u raportua në Rrugën e Kavajës.
34-vjeçari Akil Koxhaxhiku mbeti i plagosur me armë zjarri pas një konflikti, po ashtu për motive të dobëta. Autori i dyshuar, Besjan Ferazini, u largua nga vendi i ngjarjes dhe ende nuk është arrestuar. Të dyja këto raste ndodhën në zona që mbulohen nga komisariati nr. 2, i cili ndodhet pranë vendeve ku u regjistruan krimet.
Ndërkohë, një ngjarje e tretë u raportua në zonën e Kombinatit. Një 27-vjeçar kërkoi ndihmë në Spitalin e Traumës pasi ishte plagosur me mjet prerës. Sipas policisë, edhe në këtë rast autori është identifikuar, por vijon të jetë në arrati.