Dosjet e reja zbulojnë përpjekjet e Jeffrey Epstein-it për të ndërtuar lidhje me rusët
I dënuari për krime seksuale në SHBA, Jeffrey Epstein, kërkonte të ndërtonte lidhje me elitën politike të Rusisë dhe dukej i dëshpëruar për të siguruar një takim me presidentin Vladimir Putin, sipas dosjeve të publikuara së fundmi nga Departamenti i Drejtësisë së SHBA-ve.
Dokumentet e reja zbulojnë gjithashtu më shumë detaje mbi shkallën e udhëtimeve të Epstein-it në Rusi dhe rrjetin e tij të rekrutuesve që kërkonin gra të reja ruse.
Kërkimi për Putin-in
“Le të provojmë të organizojmë një takim me Putin-in,” shkroi Epstein në një email të janarit të vitit 2014 drejtuar Thorbjorn Jagland, ish-kryeministrit të Norvegjisë, atëherë sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Europës.
Ai e përsëriti kërkesën në vitet 2015 dhe 2018.
Në një email të vitit 2013 drejtuar ish-kryeministrit izraelit Ehud Barak, Epstein thoshte: “Putin kërkoi që të takohem me të në Shën Petersburg në të njëjtën kohë me konferencën e tij ekonomike. I thashë jo.”
Dosjet sugjerojnë se Epstein donte t’i paraqiste Putin-it një projekt për monedhë digjitale.
Pas publikimit të dokumenteve, Polonia tha se do të hetonte lidhjet e supozuara të Epstein me shërbimet sekrete ruse.
I pyetur nëse Epstein ishte agjent rus, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha: “Jam i tunduar të bëj shumë shaka për këtë version, por të mos humbasim kohë.”
Vizitat
Dokumentet tregojnë se Epstein mund të ketë udhëtuar disa herë në Rusi.
Një vizë biznesi ruse iu dha financierit amerikan të dënuar për krime seksuale, në qershor të vitit 2018, kur Moska ishte vend pritës për Kupën e Botës në futboll. Itineraret e udhëtimit tregojnë se ai kishte plane të ndiqte ndeshjen Marok–Iran në Shën Petersburg dhe Uruguaj–Francë në Nizhny Novgorod.
Publikimi i dokumenteve të reja përfshin gjithashtu një aplikim për vizë ruse të vitit 2011. Dosjet tregojnë foto të vjetra të Epstein-it përpara hotelit luksoz Hyatt në qendër të Moskës, si dhe një imazh pa datë të bashkëpunëtores së tij Ghislaine Maxwell, që dukej se qëndronte mes dy ushtarëve rusë.
Gratë
Të dhënat e fluturimeve tregojnë udhëtime të shumta të rezervuara për Epstein-in dhe gra ruse në emër të tij. Shumë prej grave iu propozuan Epstein-it nga rekrutues dhe agjenci modelimi brenda Rusisë, të cilët shpesh theksonin se gratë ishin të reja dhe bionde.
“Ajo ka një trup perfekt dhe është 100% bionde,” i shkroi një grua me emër rus Epstein-it në shkurt të vitit 2010.
Muaj më parë i njëjti person kishte premtuar në një email tjetër se do të “gjente një ‘lule’” gjatë një udhëtimi në Rusi, i cili dukej se ishte financuar nga Epstein.
Email-et e ndryshme tregojnë se Epstein dhe rrjeti i tij shfrytëzonin dëshirën e disa grave të reja për të lënë Rusinë dhe statusin e tyre të pasigurt të emigrimit kur ndodheshin në SHBA.
Shërbime për zyrtarët
Një nga rusët më të spikatur në dosje është Sergei Belyakov, ish-zëvendësministër i Ekonomisë, i diplomuar në akademinë e shërbimit të sigurisë FSB dhe pjesë e komitetit organizues të forumit kryesor ekonomik të Rusisë në Shën Petersburg.
Email-et tregojnë se Belyakov i kërkonte shpesh Epstein-it ndihmë për të tërhequr të ftuar të profilit të lartë nga SHBA-të në forum, vite pas dënimit të financierit amerikan në vitin 2008 për shfrytëzim seksual të një të mituri.
“Do të jap gjithë ndihmën që mundem. Kush janë të ftuarit e ëndrrave të tua? Peter Thiel? Nathan Myrhvold? Reid Hoffman?” i shkruante Epstein Belyakov-it.
Epstein gjithashtu i kërkoi Belyakov-it të mblidhte informacion mbi një grua, për të cilën shprehej se “po përpiqej të shantazhonte një grup biznesmenësh të fuqishëm në New York”.
“Nesër do takohem me një person që e njeh atë. Nëse ke ndonjë detaj mbi rastin që përmende, mund të ishte ndihmë,” iu përgjigj Belyakov.
“Nuk njoh shumë njerëz si ti, që mund të hapin horizonte dhe perspektiva të reja,” i shkroi rusi Epstein-it në maj 2014, pas një takimi.
Një tjetër figurë me ndikim në dosje është diplomati rus Vitali Churkin, ambasador i Moskës në OKB nga viti 2006 deri në vdekjen e tij në 2017-ën.
Dokumentet sugjerojnë se Epstein dhe Churkin u takuan disa herë në vitet 2016–2017. Në gusht 2016, Epstein e ftoi Churkin-in në një drekë me ish-kryeministrin izraelit Ehud Barak dhe biznesmenin Tom Barrack, tani ambasador i SHBA-ve në Turqi.
Dosjet tregojnë gjithashtu se Epstein ndihmoi në organizimin e një praktike për djalin e Churkin-it, Maxim, në një fond investimi në New York në fund të vitit 2016.
“Max po bën më mirë. Thjesht kishte nevojë të kuptonte zakonet e biznesit amerikan,” shkroi Epstein në një mesazh drejtuar diplomatit rus, i cili iu përgjigj: “Je një mësues i madh!”
Epstein gjithashtu kërkonte një prezantim me ministrin e Jashtëm rus Sergei Lavrov.
“Mund t’i sugjerosh Putin-it që Lavrov të marrë një ide për të folur me mua. Vitali Churkin e bënte. Por ai vdiq,” i shkroi Epstein Jagland-it në vitin 2018./France 24