Foltorja/ Qytetari: Kemi pensionet më të ulëta në rajon, buxheti u dyfishua por paratë shkuan në PPP dhe korrupsion

Gjatë fjalës së tij në ‘Foltoren’ e PD përpara Kryeministrisë, qytetari akuzoi qeverinë e Edi Rama për dështim në mbështetjen e pensionistëve dhe shpërdorim të buxhetit të shtetit.

Ai krahasoi rritjen e pensioneve në Shqipëri me vendet e rajonit, duke theksuar se ndonëse buxheti është dyfishuar në 12 vite, pensionet kanë pësuar rritjen më të ulët, ndërsa fondet publike, sipas tij, janë orientuar drejt PPP-ve abuzive dhe interesave klienteliste.

Qytetari: Të nderuar pjesëmarrës, i nderuar profesor doktor Sali Berisha. Për më shumë se 12 vjet, Shqipëria qeveriset nga e njëjta forcë politike, Partia Socialiste. Në themel të ideologjisë së saj qëndrojnë politikat sociale dhe premtimet për mbrojtjen e shtresave në nevojë. Por le të shohim realitetin me fakte të verifikueshme. Çfarë ka ndodhur me pensionistët, grupin që përbën 30% të popullsisë gjatë këtyre viteve? E krahasojmë me evolucionin e pensioneve mesatare nga 2013-a, 2025-ën me vendet e rajonit. Kosova nga 45 euro në 150 euro për këto 12 vjet. Në Kosovë janë ndërruar pesë qeveri. Në Maqedoninë e Veriut, nga 180 euro në 340 euro, me rritje 160 euro, rreth dy herë. Kanë ndryshuar shtatë qeveri.

Në Malin e Zi, nga 280 euro në 525 euro, rritje absolute prej 245 euro, afërsisht dy herë. Në Malin e Zi janë ndërruar pesë qeveri. Bosnja-Hercegovina, nga 185 euro në 370 euro. Rritje absolute 185 euro. Kanë ndryshuar katër qeveri. Shqipëria, pensionin mesatar urban nga rreth 140.000 lekë në 190.000 lekë, ose 54.000 lekë, 50 euro shtesë vlerë absolute, ose 38%. Ka qeverisur e vetmja qeveri në këto 12 vjet dhe ka filluar dhe mandatin e katërt.

Ndërkohë, buxheti i shtetit është dyfishuar. Nga rreth 4 miliardë euro në 2013-ën, në 8 miliardë euro sot. Nëse buxheti është rritur dy herë, çdo zë i shpenzimeve, përfshirë pensionet, duhet ti kishte ndjekur të paktën të njëjtin ritëm, por kjo nuk ka ndodhur. Ky fakt domethënës hedh poshtë çdo propagandë për arritje. Po paratë ku kanë shkuar? Paratë kanë shkuar në skemat PPP abuzive, check-up, sterilizim, inceneratorë që marrin para por nuk funksionojnë, as edhe nuk ekzistojnë. Te tigrat e Vlorës që nuk kanë punuar asnjë ditë. Te tenderat e rrugëve të florinjta që shemben çdo ditë, si dhe shërbime me korrupsion të thellë. Nuk duhet të harrojmë që kanë shkuar edhe te grupet kriminale, që kanë kontrolluar institucione si AKSHI e gropa të ngjashme. Siç thoshte Gysi, nga 2 milionë euro bëjmë katër, dyfishon tenderin, si t'i, me miliona euro, sikur të ishte nga një rrogë në dy rroga. Këto nuk janë perceptime, janë fakte reale dhe lehtësisht të verifikueshme. Përfundimi është shumë i qartë.

Qeveria ka mbledhur taksat, ka dyfishuar buxhetin, por nuk i ka adresuar paratë tek nevojat e qytetarëve, sidomos tek pensionistët, por drejt interesave private dhe abuzive. Kur një qeveri nuk ka frikë nga ndëshkimi me votë, sepse zgjedhjet manipulohen ose blihen, ajo nuk ka asnjë arsye të sillet me përgjegjësi ndaj elektoratit. Paratë publike shkojnë aty ku i shërbejnë pushtetit dhe jo popullit. Në vendet e rajonit, rotacioni i shpeshtë i qeverive ka sjellë përgjegjshmëri më të lartë dhe zhvillim më të mirë për qytetarët. Te ne, bllokimi i rotacionit politik përmes manipulimit dhe vjedhjes ka bllokuar edhe zhvillimin e vendit. Së fundmi, ka një përpjekje të vazhdueshme për të bindur opinionin publik se Sali Berisha ka monopolizuar opozitën. Kjo tezë nuk ka bazë logjike. Qeveria është një entitet unik dhe i vetëm, prandaj ka kuptim të flitet për monopolizim të pushtetit. Ndërsa opozita nuk është një strukturë e vetme. Ajo është një hapësirë e hapur pluraliste, me dhjetëra parti dhe alternativa opozitare që garojnë lirisht. Dikush që nuk pëlqen Berishën mund të votojë pa problem për parti të tjera opozitare, edhe ato nuk janë pak. Por një qytetar opozitar që nuk pëlqen Berishën, nuk mund të votojë kurrë për qeverinë në pushtet, sepse kjo do të ishte kundër bindjeve të tij themelore. Dikush mund të pretendojë se ky lloj opozitari thjesht nuk del në votime, por faktet tregojnë të kundërtën. Numri i përgjithshëm i votuesve që kanë dalë në zgjedhje ka qenë pothuajse i njëjtë. Në 2021-shin kur Berisha nuk kandidonte për kryeministër dhe në 2025-ën kur ai kandidonte, me një diferencë të vogël prej vetëm 2000 vota, pavarësisht emigracionit. Kjo tregon se baza opozitare nuk është zhdukur për shkak të doktor Berishës. Logjikisht, partia që ka fituar zgjedhjet dhe që akuzohet për manipulim dhe vjedhje të tyre për të ruajtur pushtetin, ka interes të godasë figurën më të besueshme të opozitës, pikërisht Sali Berishën. Kjo strategji ka sens të plotë. Duke e paraqitur atë si pengesë ose si monopol, devijohet vëmendja nga problemet reale të zgjedhjeve dhe nga abuzimet e pushtetit. Të gjitha këto narrativa që përpiqen të vendosin fajin te opozita, nuk janë gjë tjetër veçse përpjekje për të fshehur manipulimin, abuzimin me resurset shtetërore dhe vjedhjen e zgjedhjeve, siç kanë theksuar dhe raportet ndërkombëtare dhe të vëzhguesve të pavarur. Prandaj, bashkohuni protestës së 28 shkurtit, të hapim rrugën e zhvillimit dhe të përgjegjshmërisë. Për një Shqipëri ku paratë e taksapaguesve shkojnë tek qytetarët dhe jo tek xhepat e pushtetarëve.