Trajneri i Bodo/Glimt ironizon Interin: Manchester Siti nuk u ankua për fushën

Ndeshja mes Interit dhe Bodo/Glimt në Ligën e Kampioneve është padyshim një nga ata me vëmendjen më të madhe të fazës play-off.

Në lojë është kualifikimi i zikaltërve që cilësoheshin mes favoritëve për trofeun, të cilët u mundën me shifrat 3-1 nga ekipi i qytetit të vogël norvegjez.

Humbja u shoqërua me polemika pasi zikaltrit u ankuan për situatën e fushës në Norvegji, ku u luajt në bar sintetik në kushte aspak optimale pasi kishte rënë dëborë për ditë me radhë duke e bërë terrenin të vështirë.

Ankesa të cilat nuk i kanë pëlqyer Kjetil Knutsen, trajnerit të norvegjezëve, i cili ka thumbuar Interin pas këtyre deklaratave.

“Mançester Siti as nuk e kishte përmendur fushën. As ne nuk jemi mësuar me “San Siro”, por mendojmë për gjëra të tjera. Ajo që bëjnë të tjerët nuk është e rëndësishme për ne, ata që mendojnë për të ftohtin apo gjëra të tjera, nuk janë të shkathët”, ishte thumbimi i trajnerit të norvegjezëve në konferencën për mediat para sfidës.

“Të luajmë në “San Siro” është gjithsesi një dhuratë për ne, duhet të jemi të gatshëm që të përfitojmë prej saj. Kemi një ide futbolli të fortë dhe intensiv, jemi frymëzuar nga Liverpuli i Klop.

Ka lojtarë që duan të vijnë këtu te ne, nuk jemi një qytet i madh, por mund të mësosh të luash futboll. Ne jemi të përulur. Nuk duhet vetëm të mbrojmë, duhet të mendojmë sikur jemi 0-0 dhe të mos qëndrojmë shumë poshtë. E gjithë skuadra duhet të ndihmojë në mbrojtje dhe pastaj në sulm.

Në ndeshjen e parë u treguam të aftë ta mbyllnim takimin, jemi përmirësuar”, tha ai.

Trajneri ndërkohë ka bërë një përgatitje speciale për ekipin e tij që të përshtatej me temperaturat që e pritnin në Itali. Skuadra në këto ditë nuk është stërvitur në Norvegji, por ka udhëtuar drejt Marbeja në Spanjë, një vend me një klimë shumë më të zbutur, për të mësuar lojtarët me kushte atmosferike larg acarit norvegjez.