Çështja ‘Balluku’/ Çollaku: Akuza për organizatë kriminale dhe 35 vite burg... Mazhoranca në mbrojtje politike

Në studion e ‘Task-Forcë’ në Syri TV, gazetari Basir Çollaku krahasoi procedurën e ndjekur në vitin 2017 për heqjen e imunitetit të Saimir Tahirit me situatën aktuale të Belinda Ballukut, duke theksuar se atëherë Kuvendi veproi brenda gjashtë ditësh, ndërsa sot kanë kaluar tre muaj pa një vendimmarrje.

Sipas tij, arsyet e refuzimit nuk janë juridike, por politike dhe lidhen me frikën e kryeministrit Edi Rama. Çollaku shtoi se, bazuar në deklarimet e prokurorëve mbi rëndimin e akuzave, çështja mund të ketë kaluar në nivelin e dyshimeve për ‘organizatë kriminale’, çka do të sillte pasoja të rënda penale.

Basir Çollaku: Rikthehem pak te 2017-ës, rastin e Tahirit. Po. Më 19 tetor, Krimet e Rënda bënë kërkesën në kuvend. Më 21 tetor u mblodh Këshilli i Rregullores së Mandateve, më 25 tetor votoi kuvendi. Gjashtë ditë. Kaq u mbyll procedura. Këtu jemi tre muaj.

Tani këtu themi, arsyet e refuzimit janë të Ramës, nuk janë të Këshillit të Rregullores së Mandateve dhe arsyet e refuzimit të Ramës nuk janë juridike, janë frikë. Kjo histori ka shkuar, e kam thënë, e kemi thënë dhe herën tjetër së bashku, ka shkuar tek armët. Ka shkuar te kanosjet. Kanosja për jetën është me vrasje.

Janë transkriptuar dhe mesazhet. Pra, e para është natyra e zyrtarëve që bëjnë këto demarshet, jo vende pune, jo para, njëra-tjetrën. Kur nuk funksionon kjo, futen krahu i armatosur në lojë. Dhe krahu i armatosur shkon edhe në oborrin e Ramës. Dhe ata që kërcënojnë dhe kërkojnë nder për Ballukun, janë në krah të Ballukut. Nuk janë në krahun e Ramës, ata i kërkojnë Ramës që të bëjë këtë që po bën. Nuk ka asnjë lloj, kur më bëri përshtypje, ndryshimi ose deklarimi i prokurorëve që deri në momentin kur ne kërkuam heqjen e imunitetit, akuzat dhe provat që kishim, shkonin në një fajësi të pretenduar për zonjën Balluku deri në 10 vite. Por mbledhja e provave të reja do të thotë akuza të reja, që mbështesin akuza të reja. Dhe kur prokurorët saktësuan se ajo çfarë kemi deri tani, gjithmonë flitet deri tani... Për 35 vite burgim, pra ka pretendim, pra kjo mund të jetë një kërkesë për 35 vite burgim, thashë ç'ndodh. Dhe hap ligjin për organizatën kriminale. Çfarë parashikon kodi? Kur thotë, krijimi, organizimi ose drejtimi i organizatave kriminale, jep 5 deri në 15 vjet.

Duhet të kemi qenë te rasti i parë. Pjesëmarrja është katër deri në tetë vjet. Pra nuk je pjesëmarrës, je në kuadër më lart. Nëse organizata ka dhe grup të armatosur, pastaj i shtohet 1/3 e dënimit. Kur veprimtaria ekonomike e ndërmarrë, e kontrolluar dhe pjesërisht futet dhe kjo pastrimi i parasë, njëra-tjetra që janë dhe histori brenda këtu, atëherë i shtohet 1/3 dhe 1/2. Po të mbledhësh gjithë këto bashkime dënimesh, unë shoh pra në spektrin e asaj çfarë prokurorët lajmëruan që jemi te kualifikimi i një vepre penale për organizatë kriminale. Çfarë ka? Ka njerëz që të marrin peng, që të vrasin, që vjedhin... është historia e pjesëmarrjes në tendera e barazisë, shpërdorimi, kjo është histori e kaluar. Kemi hyrë më thellë, sepse është edhe hetimi pasuror tashmë i filluar.