Shembjet e rrugëve/ Hoxhaj: Qeveria ka sabotuar shqiptarët! Rama amniston kompanitë kontraktore…
Gazetari Julian Hoxhaj, i ftuar në TASK FORCE në SYRI TV me Sonila Meçon, ka folur për shembjen e një pjese të aksit rrugor Elbasan-Qafë Thanë, në zonën e Librazhdit, e cila ka izoluar juglindjen e vendit.
Sipas Hoxhajt, ngjarja përbën një “sabotim të tmerrshëm ndaj qytetarëve shqiptarë”, një vepër e rëndë penale me përgjegjësi direkte të qeverisë shqiptare, Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar.
Kjo ngjarje nuk shihet si një rast sporadic, por vihet në dukje se gjatë dy viteve të fundit, një numër i konsiderueshëm rrugësh të tenderuara dhe prokuruara nga ministrja Belinda Balluku, janë kthyer në problematika serioze.
Në këtë kontekst, gazetari i drejtoi kritikat edhe ndaj Kryeministrit Edi Rama, i cili akuzohet se po u jep “amnisti” kompanive kontraktore dhe projektuese, në vend që t'i mbajë përgjegjëse.
Intervista në studio:
Hoxhaj: Nuk i zë më besë Edi Rama as vetë rrugëve të Belinda Ballukut. Sigurisht që kjo është ironi, por është e frikshme në fakt ajo që po ndodh. Dhe kemi së paku në këndvështrimin tim, sikur t'ia linim fajin gjeologjisë dhe terrënit, kemi një sabotim të tmerrshëm ndaj qytetarëve shqiptarë. Dhe sabotimi është vepër e rëndë penale në kodin penal. Dhe sabotimi është bërë nga qeveria shqiptare, nga Ministria e Infrastrukturës, nga Autoriteti Rrugor Shqiptar.
Meço: Nuk është gabim 30-vjeçar, siç thotë...
Hoxhaj: Nuk është gabim 30-vjeçar. Shiko, unë kam pyetur dhe ekspertë... Unë kam komunikuar dje dhe sot, kam ngritur një pyetje në rrjetet sociale dhe më ka shkruar shumë inxhinierë. Dhe të gjithë kanë të njëjtin mendim, që rruga është shembur për shkak të punimeve që po kryhen për ndërtimin e rrugës së re në, pra të korridorit të tetë në Elbasan-Qafë Thanë. Sepse është mbyllur përroi ku kalonin ujërat sipërfaqësore. Ajo ura që është shembur atje, prandaj ishte ura. Sepse atje kalonin ujëra dhe derdheshin në lum. Dhe çfarë kanë bërë? E kanë mbushur me inerte dhe ujërat kanë depërtuar nën tokë dhe i gjithë shpati i malit është tashmë është duke rrëshqitur. Dhe në këto kushte, ne nuk kemi një rast sporadik, po kemi të paktën dy vitet e fundit që të gjitha rrugët e tenderuara, e prokuruara nga Belinda Balluku, janë sot probleme, janë sot me probleme dhe të shembura. Vetëm në qarkun e Korçës unë po ju them që janë investime që kalojnë mbi 500 milionë euro. Duke marrë për shembull rrugën Korçë-Ersekë, rrugën Qukës-Qafë Ploç, rrugën që po ndërtohet tani që është investim deri tani 100 milionë euro, sepse normalisht korridori i tetë i shërben qarkut të Korçës. Pra janë rrugë të cilat sot po shemben për shkak të problemeve me studimin, me projektimin dhe me...
Meço: Po po ndodh njëkohësisht, nuk është çështja që, domethënë, sot u duk sikur kryeministri u përqëndrua që vetëm tek ajo urë është problemi i izolimit të juglindjes.
Hoxhaj: Të gjithë deklarata e kryeministrit, ajo që unë pashë me shumë shqetësim, është amnistia që ai ka bërë kompanive kontraktore për ndërtimin e aksit të ri dhe kompanive që kanë bërë studimin dhe projektimin e kësaj rruge. Sepse kryeministri, nëse ka evidenca, nëse ka studime që vërtetojnë atë që thotë ai, duhet të dali. Në të kundërt, sot kryeministri është duke kryer një krim të rëndë sepse kryeministri po saboton ekonominë shqiptare. Po ju kujtoj vetëm një gjë. Rruga, korridori i tetë, pra rruga Elbasan-Qafë Thanë, është një rrugë strategjike për Shqipërinë. E lidh kryeqytetin, portin e Durrësit me dy doganat më të rëndësishme të vendit, me Qafë Thanën dhe me Kapshticën. Jo vetëm, Kapshtica i shërben jo vetëm po themi shkëmbimit të njerëzve dhe mallrave me me Greqinë, por edhe me Turqinë, edhe me vendet e tjera të Ballkanit. Gjithashtu dhe Qafë Thana. Sot janë të bllokuar me qindra e qindra kamionë të cilët po detyrohen që të kalojnë nga doganat e tjera, nga Kosova ndoshta, nga Dibra e Madhe, për të ardhur në Tiranë dhe më tej në portin e Durrësit. Dyfishohet koha, dyfishohen kostot, po Shqipërinë e nxjerr nga, po themi, nga ajo rëndësia strategjike që ka në rajon. Vetëm pak ditë më parë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe qeveria e Maqedonisë së Veriut kanë nënshkruar një marrëveshje tregtare. Dhe për herë të parë, porti i Durrësit anashkalohet totalisht dhe importi dhe eksporti i mallrave mes Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës do të bëhet nëpërmjet porteve greke. Duke e nxjerrë portin e Durrësit jashtë loje totalisht.