Meksika në kaos pas ekzekutimit të liderit të kartelit të drogës, rrezikohet Botërori

FIFA shqetësohet pas incidentit të kartelit në Meksikë, rrezikohet mikpritja e Guadalajaras për Botërorin 2026

Pas një vale dhune nga bandat në Meksikë, FIFA ka shfaqur shqetësim për gatishmërinë e Guadalajara për të pritur ndeshjet e Botërorit 2026.

Incidenti më i fundit lidhet me vrasjen e liderit të kartelit të drogës Jalisco New Generation (CJNG), Nemesio Oseguera Cervantes, i njohur si “El Mencho”.

Operacioni u zhvillua më 22 shkurt, teksa “El Mencho” udhëtonte drejt Mexico City pas përplasjeve të dhunshme. Katër pjesëtarë të kartelit u plagosën, ndërsa tre anëtarë të forcave të armatosura meksikane u lënduan gjatë shkëmbimeve të zjarrit.

Pas vdekjes së tij, dhuna u përhap në të gjithë vendin, me automjete të djegura dhe shpërthime që u panë edhe mbi Guadalajara, qytet që pritet të presë katër ndeshje të Kupës së Botës, përfshirë ndeshjen e dytë të Meksikës në fazën e grupeve më 18 qershor.

Si pasojë e tensioneve, fluturimet u anuluan, ndeshjet e Liga MX u shtynë, dhe rreth 250 bllokada rrugësh u vendosën, përfshirë 65 në Jalisco.

Autoritetet arrestuan gjithashtu 25 persona për veprime të dhunshme dhe grabitje të dyshuara.

Sipas raportimeve të “MARCA”, FIFA nuk ka bërë ende një deklaratë publike, por burime pranë planifikimit kanë konfirmuar shqetësim të lartë mbi sigurinë e ngjarjes në terren.

Në rregulloret e Botërorit 2026, FIFA ka të drejtë të “anulojë, riplanifikojë ose zhvendosë një ose më shumë ndeshje (ose të gjithë turneun) për arsye të jashtëzakonshme, përfshirë shqetësime për shëndetin, sigurinë apo mbrojtjen”.

Guadalajara dhe Monterrey do të presin gjithashtu ndeshje “play-off” në mars për vendet e fundit në turne.

Ekspertë si Jack Anderson shpjegojnë se FIFA ka kompetenca të gjera për të ndërprerë marrëveshjet me vendet mikpritëse, por vetëm nëse ekziston një bazë “të jashtëzakonshme” për veprim të tillë.

Situata mbetet e tensionuar, ndërsa tifozët dhe organizatorët presin zhvillimet e ardhshme dhe masat e sigurisë që do të garantojnë zhvillimin e rregullt të Botërorit 2026.