Kontratë e pazakontë për Luis Diaz te Bayerni: Gjobë, nëse nuk mëson gjermanisht
Luis Diaz po shkëlqen me fanellën e Bayern Munich, por jashtë fushës përballet me një sfidë krejt të veçantë që lidhet drejtpërdrejt me kontratën e tij.
Pas një periudhe të suksesshme te Liverpooli, nën drejtimin e Arne Slot, kolumbiani u transferua te kampionët e Bundesligës për 65.5 milionë paundë, duke firmosur një kontratë katërvjeçare.
Nën urdhrat e trajnerit Vincent Kompany, përshtatja e tij në aspektin sportiv ka qenë e menjëhershme, me 19 gola dhe 15 asistime në të gjitha garat.
Megjithatë, sfida më e madhe për sulmuesin nuk ka qenë fusha e lojës, por gjuha.
Spanjishtja është gjuha e tij amtare, ndërsa më parë ai mësoi portugalisht gjatë kohës te Porto dhe përvetësoi edhe anglishten në Angli.
Në një intervistë për “Sky Deportes”, Diaz pranoi se gjermanishtja është “gjëja më e vështirë” në procesin e adaptimit.
Sipas raportimeve të “BILD”, në kontratën e tij ekziston një “klauzolë gjuhe” që e detyron të ndjekë rregullisht kurse të gjermanishtes.
Madje, nëse dështon të tregojë progres të dukshëm, ai mund të përballet me gjoba të konsiderueshme financiare.
Një klauzolë e pazakontë, por që tregon seriozitetin e klubit bavarez për integrimin e plotë të lojtarëve në ambientin gjerman.