SYRI TV/ Mblidhet Këshilli i Mandateve për Ballukun, Prokuroria fakte të reja: Ka rrezik të prishë prova
Pas më shumë se dy muajsh zvarritje nga mazhoranca socialiste, Këshilli i Mandateve u mbledh këtë të hënë për të shqyrtuar kërkesën e SPAK-ut për dhënien e autorizimit për arrestimin e Belinda Ballukut. Kreu i SPAK-ut, Klodian Braho, dhe dy prokurorët e çështjes, Dritan Prençi e Dorina Bejko, prezantuan para Këshillit të Mandateve relacionin, duke këmbëngulur te kërkesa e tyre për heqjen e imunitetit të Ballukut dhe duke sjellë prova të reja se zv.kryeministrja ka kërcënuar dëshmitarë përmes personave të njohur si elementë të krimit të organizuar.
Në mbledhjen me dyer të mbyllura, prokurorët e SPAK-ut deklaruan se kanë prova që Balluku ka vijuar të kryejë krime të tjera ndërsa ka qenë ende në detyrë, duke referuar edhe episode konkrete.
Prokuroria konfirmon se janë konstatuar fakte të tjera penale për Ballukun. Gjendja e saj procedurale është rënduar. Ka rrezik të prishë prova dhe të kryejë krime të tjera. Gjithashtu, konfirmoi se më 20 nëntor 2025 ka intimiduar dy dëshmitarë, duke i kërkuar të ndryshojnë dëshminë. Po ashtu, prokuroria informon se ka prova se disa persona “të fortë” (duke nënkuptuar elementë të krimit të organizuar) kanë kërcënuar dëshmitarët në emër të zonjës Balluku. Për këtë, janë paraqitur edhe provat në mbledhjen e Këshillit – transkripte të bisedave. Përveç personave të fortë, të dyshuar të përfshirë në krim, intimidimi ka ndodhur edhe nga zyrtarë publikë nga kabineti i ministres, që kanë kërcënuar ose tentuar të korruptojnë dëshmitarët. Nuk jepen më shumë të dhëna, sepse çështja është nën hetim dhe mbrohet nga sekreti hetimor. Sipas prokurorisë, znj. Balluku apo avokatët e saj nuk kanë ngritur asnjë pretendim për ndikim politik ose përndjekje politike nga prokuroria. Hetimi nuk ka sfond politik.
Prokuroria e posaçme ka pohuar se Balluku ka intimiduar vartësit e saj, edhe kur është pyetur nga kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja. Teksa Manja iu drejtua prokuroreve të SPAK-ut, duke pyetur se cili është mekanizmi përmes të cilit Balluku po prish provat ndërkohë që është pezulluar, prokurorët e SPAK-ut i janë përgjigjur se zonja Balluku është ende në detyrë dhe mekanizmi i intimidimit ka qenë takimi me vartësit.
Ndërsa Belinda Balluku refuzoi të ishte e pranishme në mbledhjen e Këshillit, ajo u përfaqësua nga avokatët e saj, e motra Pamela Qirko dhe Ardian Kalija. Përfaqësuesit ligjorë të zv.kryeministres kërkuan rrëzimin e kërkesës së SPAK-ut dhe pretenduan se Balluku ka zbatuar masën dhe nuk është paraqitur në detyrë.
Mbledhja e Këshillit të Mandateve u shoqërua me debate në nisje, pasi kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi, kërkoi që mbledhja të zhvillohej me dyer të hapura. Pavarësisht se socialistët nuk e morën parasysh këtë kërkesë, duke i kyçur dyert për mediat, burime bënë me dije se prokuroria ka deklaruar se numri dy i qeverisë, nga 10 vite burg që rrezikonte në masat e para, tashmë me provat e reja rrezikon deri në 35 vite burg.
Në situatën kur masa e parë ndaj znj. Balluku rrezikonte deri në 10 vite burg, sot situata e saj është rënduar dhe, sipas akuzave të prokurorisë, znj. Balluku rrezikon deri në 35 vite burg. Zv.kryeministrja akuzohet për shkelje të barazisë në tendera në të paktën 11 episode, me vlerë 1.1 miliardë euro, ndërsa fati politik i saj do të vendoset në seancë plenare.