GJK rrëzon ndryshimet e PS në Rregulloren e Kuvendit, shpallet antikushtetues edhe komisioni i drejtuar nga Fatmir Xhafaj

Gjykata Kushtetuese rrëzon në mënyrë unanime ndryshimet në Rregulloren e Parlamentit, të miratuara në mënyrë të njëanshme nga Partia Socialiste në shtator të vitit 2025.

Sipas gjyqtarëve, shumica parlamentare ka kryer shkelje kushtetuese që lidhen me afatet proceduriale të miratimit të ndryshimeve në Rregullore, si edhe me afatet e njoftimit të seancës plenare. 

Në ditët e para të legjislaturës së re parlamentare, Partia Socialiste bëri disa ndryshime të rëndësishme në Rregulloren e funksionimit të saj, duke ndryshuar numrin e komisioneve të përhershme parlamentare, një sipërmarrje që dobësoi ndjeshëm funksionet opozitare.

Një e pesta e deputetëve, anëtarë të opozitës, iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin e ndryshimeve të Rregullores.

Këtë të hënë, Gjykata Kushtetuese njoftoi se ka pranuar njëzëri kërkesën e deputetëve dhe shfuqizimin e vendimit nr. 57, datë 16 shtator 2025, me të cilën u bënë ndryshimet në Rregullore.

Me vendimmarrjen e sotme të Gjykatës Kushtetuese, rrëzohet edhe ekzistenca e një Komisioni hibrid, i quajtur Për Nisma Qytetare, Bashkëpunim dhe Mbikqyrjen Institucionale, i drejtuar nga Fatmir Xhafaj.

Ky Komision është shndërruar në mollë sherri mes Parlamentit dhe institucioneve të pavarura. Nga mënyra se si është ngritur ky komision, ka nga ata që e kanë paralelizuar me “kontrollet punëtore”, të cilat funksionin gjatë periudhës komuniste në Shqipëri.

Pak javë më parë, Prokuroria e Posaçme refuzoi një kërkesë të këtij Komisioni që të lejonte zhvillimin e një vizite inspektuese në ambjentet e SPAK-ut.

Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, Klodian Braho, vlerësoi se kërkesa e Komisionit të drejtuar nga Fatmir Xhafaj shkelte pavarësinë institucionale.

NJOFTIM VENDIMMARRJEJE

Gjykata Kushtetuese e Republikë së Shqipërisë (Gjykata) në datën 10.02.2026 shqyrtoi në seancë publike çështjen me kërkues jo më pak se një e pesta e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë me objekt: "Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë "Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, date 16.12.2004 "Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar", si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Pezullimi i vendimit nr. 57/2025, datë 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë "Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 "Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar", deri në dhënien e një vendimi përfundimtar".

Gjykata u mblodh në datën 23.02.2026 dhe pasi mori në shqyrtim pretendimet e palëve, vlerësoi se sa i takon themelit të pretendimeve të kërkuesit, duhet vendosur shfuqizimi i vendimit nr. 57/2025, për shkak të cenimit të parimit të demokracisë përfaqësuese të lidhur me lirinë e shprehjes së deputetëve si pasojë e shkeljes së rregullave të thirrjes së mbledhjes së Kuvendit si dhe të procedurës së ndjekur për miratimin e aktit objekt shqyrtimi.

Gjithashtu Gjykata vendosi që efektet e këtij shfuqizimi hyjnë në fuqi 30 ditë pas botimit të vendimit në Fletoren Zyrtare, në mënyrë që gjatë këtij afati, Kuvendi të ketë mundësinë e organizmit të komisioneve parlamentare sipas standardeve për procedurën e miratimit të akteve të përcaktuar në arsyetimin e këtij vendimi..

Për arsyet e mësipërme, në përfundim të shqyrtimit të kësaj çështje, Gjykata, njëzëri, vendosi: • Pranimin e kërkesës

Shfuqizimin e vendimit nr. 57/2025 të datës 16.09.2025 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë "Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 "Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, të ndryshuar", si i papajtueshëm me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.

* Efektet shfuqizuese të këtij vendimi hyjnë në fuqi 30 ditë nga data e botimit në Fletoren Zyrtare.

Vendimi përfundimtar do të shpallet i arsyetuar brenda afateve ligjore të parashikuara nga ligji nr.8577, datë 10.02.2000 "Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë", i ndryshuar dhe nga Rregullorja për procedurat Gjyqësore të Gjykatës Kushtetuese.