SYRI TV/ Berisha: Negociatat e Ramës për të shkëmbyer Lubinë, nëse arrihet ky pakt, kapitullim i drejtësisë

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin se po bën negociata me drejtësinë për të dorëzuar zv.kryeministren Belinda Balluku, me kusht që të shpëtojë veten dhe bashkëshorten e tij, Linda Ramën. Berisha u shpreh se në protestën e 28 shkurtit do të përshkallëzohen aksionet e kryengritjes paqësore të opozitës.

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, akuzoi kryeministrin Edi Rama se po përpiqet të bëjë pazare me drejtësinë, duke dorëzuar zv.kryeministren për të shpëtuar veten dhe bashkëshorten e tij, Linda Rama, nga hetimi. Në konferencën për media, lideri i opozitës denoncoi përpjekjet e kryeministrit për të negociuar me drejtësinë pas skandaleve korruptive që kanë përfshirë qeverinë e tij.

Kreu demokrat u shpreh se zvarritja prej dy muajsh e mbledhjes së Këshillit të Mandateve i dha mundësi Belinda Ballukut të shkatërronte dokumenta zyrtare që e implikonin dhe të kërcënonte dëshmitarët e çështjes së saj.

Berisha deklaroi se kryeministri po harxhon 30 mijë euro për të fluturuar me helikopter në një kohë kur qytetarët janë të bllokuar për të lëvizur, për shkak të shembjeve të rrugëve në juglindje të vendit.

Në prag të protestës së 28 shkurtit, lideri i Partisë Demokratike paralajmëroi përshkallëzim të kryengritjes paqësore të opozitës.

Berisha e përmbylli konferencën për media, duke dënuar dhunën brutale të policisë në protestën e 20 shkurtit dhe i bëri thirrje kryeministrit Edi Rama të ndërpresë sulmet ndaj selisë së Partisë Demokratike.