Bozdo: Kolapsi i aksit Librazhd-Prrenjas dhe izolimi i qarkut Korçë, pasojë e korrupsionit të qeverisë Rama
I ftuar në edicionin informativ të lajmeve në Syri TV, Deputeti i Partisë Demokratike Eno Bozdo foli mbi kolapsin e aksit Librazhd-Prrenjas dhe izolimin e qarkut të Korçës, ku u shpreh se kjo nuk është një fatkeqësi natyrore, por pasojë e korrupsionit të përhershëm që ka kapur shtetin dhe institucionet.
Ai kritikoi cilësinë e dobët të rrugëve të ndërtuara kohët e fundit dhe kostot e trefishuara të projekteve, duke theksuar se ngjarje të tilla nuk ndodhin në vende serioze dhe anëtarë të NATO-s që synojnë BE-në.
Bozdo theksoi se izolimi i banorëve dhe mungesa e masave parandaluese janë simptoma të një kolapsi të shtetit, ndërsa reagimi i Kryeministrit Rama me xhiro helikopteri u konsiderua ironik dhe simbol i mosfunksionimit të qeverisjes.
Ai paralajmëroi se pa reforma reale dhe përgjegjësi institucionale, këto kriza infrastrukturore do të përsëriten dhe pasojat për qytetarët do të jenë gjithmonë dramatike.
Pjesë nga deklarata:
Çfarë është shkaktuar tek aksi Prrenjas-Librazhd dhe çfarë është shkaktuar në të gjitha akset e tjera, sepse për fat të keq nuk është i vetmi aks i cili është shembur. Ne kemi qenë dëshmitarë në muajt e fundit që në përgjithësi të gjitha akset e ndërtuara në dekadën e viteve të fundit kanë pasur problematika shumë të rënda, të cilat kanë dalë në pah thjesht nga një periudhë e zgjatur reshjesh. Kështu që situata të tilla, kur rrugët kolapsojnë dhe rajone të tëra të një vendi, siç është rasti i rajonit të Korçës, gjithë qarku i Korçës ka mbetur pa lidhje me qendrën, sepse dhe rruga tjetër praktikisht, ajo nëpërmjet Moklicës, Gramshit, Cërrikut dhe Elbasanit, edhe ajo ka shfaqur problematikë të thellë dhe aty duhet kaluar me shumë kujdes, por nuk është rrugë kombëtare dhe nuk mund të mbajë dot këtë ngarkesë, aq më tepër makinat e rënda. Këto janë çaste të paprecedenta dhe nuk ndodhin gjithë botën. Edi Rama nuk thotë të vërtetën në këtë pikë. Këto ndodhin vetëm në vende ku korrupsioni ka kapur prej kohësh shtetin dhe shoqërinë. Prandaj, çfarë shikojmë sot është simptomë e një sëmundjeje shumë të gjatë që ka përfshirë Shqipërinë. U deshën vetëm disa ditë shi që kjo të verifikohej.
Ajo që të bën më shumë përshtypje është fakti që edhe kur shohim prezencën e institucioneve, këto institucione nuk janë në vend, siç është rasti i urës së Prrenjasit, apo urës së rrugës që shkon për Prrenjas, në kthesën e Dragostunit. Edhe në këtë çast, institucionet nuk janë në gjendje të bëjnë parashikime të sakta. Situata është tragjike, jemi në kufijtë e anekdotës, por pasojat janë tragjike, jo vetëm për faktin që të gjithë banorët e zonës janë tashmë të izoluar. Rrugët dytësore janë të lëna në mëshirën e fatit prej 15-20 vitesh dhe nuk e di nëse funksionojnë më, që lidhin fshatrat me njëra-tjetrën. E dyta, kemi një rajon të tërë që, siç është rajoni i Korçës, është shumë i rëndësishëm, dhe për të arritur në Tiranë duhet të kalojë nëpërmjet Maqedonisë së Veriut, çka është qesharake. Tani imagjinoni një vend të NATO-s, një vend që synon të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian, qeveria e të cilit thotë se në vitin 2030 do bëhet anëtar me të drejta të plota, që për shkak të rrëshkitjes së një mali, një pjesë e madhe e territorit dhe popullatës së tij mbetet e palidhur me qendrën, nuk merr as shërbime, as komunikim. Domethënë jemi në një situatë vërtet të paprecedentë. Përveç impaktit që ka tek njerëzit, dhe në kulmin e kësaj, Rama që për fat i kishte qëlluar të ishte një ditë në Korçë, zgjedh të marrë edhe helikopterin. Ironia dhe absurditeti janë të forta.
Pra, nuk mundet që shteti i Shqipërisë, vend i NATO-s, të dalë një e treta ose një e katërta e vendit jashtë kontrollit, pikërisht sepse rrëshkiti dheu dhe dëmtoi të vetmen rrugë kombëtare. Rrugët e tjera nuk funksionojnë. Këtu është problemi kryesor. Nuk funksionon as rruga Qukës-Qafë Ploçë, edhe ajo ka problematika të shumta, nuk funksionon tuneli i Llogarasë, rruga e Arbrit, tuneli i Murrizit, dhe disa rrugë të tjera të ndërtuara gjatë qeverisjes së Rilindjes. Pyetja është: shiu besoj ka rënë njësoj edhe për rrugët e ndërtuara gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike, apo jo? Asnjë, absolutisht asnjë vepër nuk ka pësuar dëmtime. Kjo tregon shumë për cilësinë e punimeve, standardin dhe seriozitetin e qeverive të mëparshme. Kemi ekspozuar korrupsionin, standardet shumë të ulëta, çmimet trefish më të larta se koha kur këto rrugë bëheshin tre ose katër fish, gjatë qeverisjes së Partisë Demokratike. Për fat të mirë, nuk kemi humbje jete njerëzore, që mund të ndodhnin.
Është e vërtetë që rrëshqitje toke ndodhin kudo në botë, por nuk është e vërtetë që për shkak të tyre, territore të tëra të mëdha të dalin jashtë funksionit. Rrëshqitjet ndodhin në sipërfaqe shumë të vogla dhe komuniteti i prekur është i vogël. Kurse veprat e mëdha që lidhen me infrastrukturën kryesore, nuk ndodhin. Është e vërtetë që korrupsioni ndodh kudo, por korrupsioni në përmasa si në Shqipëri nuk ndodh në asnjë vend tjetër, përfshirë vendet e Bashkimit Evropian apo vendet e zhvilluara. Në vendet e rajonit, çështje shumë herë më të vogla konsiderohen problematike, ndërsa në Shqipëri ato janë të mëdha.
Krimi i organizuar mund të ketë ndikim, por nuk ka ndodhur askund që krimi i organizuar të kontrollojë pjesë të shtetit dhe të vendosë kush fiton zgjedhjet. Nuk ka ndodhur që 1/6 e deputetëve të Kuvendit të zgjidhen si përfaqësues të krimit të organizuar. As të dhënat më të rëndësishme të qytetarëve të dorëzohen te krimi i organizuar nëpërmjet taksive, TIMS, gjendjes civile, KLGJ-së, kadastrës dhe sistemeve të komunikimit të policisë së shtetit.