Syri Tv/ Korça e izoluar, Rama shkon atje me helikopter: Asnjë përgjegjësi për shembjen e rrugës

Në një kohë që prej tre ditësh, segmenti rrugor që lidh Tiranën me Korçën është i bllokuar për shkak të shembjes së rrugë në vendin e quajtur, Arrat e Gurrës në Librazhd,  dhe rruga alternative Korçë Gramsh Elbasan, ka probleme, Kryeministri Edi Rama ka zgjedhur të bëjë karshillëk përballë problemeve më të cilat përballen mijëra banorë të juglindjes.

Në një kohë që në qytetar nga Korça për të ardhur në Tiranë, duhet të marrë rrugën për në Përmet, më pas Gjirokastër e Tiranë, pra rreth 13 orë rrugë, Kryeministri sot ka vendosur të shkojë në Korçë për një aktivitet. 

Kryeministri Rama pritet të marrë pjesë në një aktivitet për Polin Dijes, një institucion arsimor që do ngrihet në Korçë. Ndërkohë zv Kryeministrja Belinda Balluku, që ka nën varësi direkte rrugët sot është nën ethet e vendimit të grupit parlamentar socialist për mandatin e saj.

Për të justifikuar udhëtimin e tij me helikopter, Edi Rama ka reguar në një status në platformën X, teksa dhe këtë herë ka zgjedhur të mos reagojë në facebook për të evituar reagimet e qytetarëve.

“Më thonë se qenkan futur në vlim tenxheret politike e mediatike pse unë po udhëtoj me helikopter për Korçë! Në fakt jo vetëm për Korçë, po nga Korça edhe në Vlorë, për të shoqëruar një grup investitorësh me prestigj ndërkombëtar në fushën e arsimit të lartë, e për t’iu prezantuar hapësirat e Polit të Dijes në Korçë dhe të kompleksit të ri në Vlorë, si dy destinacione me potencial për të mikpritur universitete të mirënjohura ndërkombëtare!

Ata vijnë nga Rinasi në Korçë e pastaj në Vlorë me helikopterin e tyre, ndërsa ne do të përdorim helikopterin e Forcave të Armatosura, i cili me ne ose pa ne, kryen çdo muaj orët e veta të domosdoshme të fluturimit, e në këtë rast i shërben edhe një pune tjetër të mirë njëkohësisht!

Sa për aksin e bllokuar këto ditë, duhet një ligësi e madhe, një dëshpërim i thellë dhe një padije e rëndë, për t’ia faturuar qeverisë problematikën e një rrëshqitjeje gjeologjike të masivit natyror në anë të rrugës së vjetër, që ka impaktuar edhe aksin e ri, por që ka zero lidhje me ndonjë përgjegjësi profesionale a teknike të projektuesve, zbatuesve apo autoriteteve përkatëse!

Sa i përket bllokimit të rrugës, rrëshqita e dherave ka ardhur për shkak të marrjes pa kritet të inerteve në lumin Shkumbin, nga kompania që ndërton rrugët në juglindje të vendit.

Pak muaj më parë një masiv gurësh ra në aksin ri Qukës- Qafë Plloçë, teksa nga ana tjetër edhe segmenti alternative Korçë –Maliq- Gramsh- Elbasan ka problematika sa i përket rrëshqitjeve në rrugë.

Ndërkohë për vizitën e Ramë në Korçë ka reaguar edhe lideri i opozitës Sali Berisha.

Në një status në facebook ai shkruan se “Kryehajduti gjen zgjidhjen, pasi akset e juglidjes janë shembur ai i hipen helikopterit për të shkuar në Korçë!”