Darwin Núñez mund të rikthehet në Premier League, klubet që e mirëpresin
Sulmuesi uruguaian, Darwin Núñez, mund të jetë pranë një rikthimi në Premier League, pas një periudhe të vështirë te Al Hilal.
Ish-lojtari i Benfica po kalon ditë të komplikuara në klubin saudit, sidomos pas ardhjes së Karim Benzema. Për shkak të kufizimit të numrit të lojtarëve të huaj të regjistruar në kampionat, Núñez deri në fund të sezonit do të mund të luajë vetëm në Ligën e Kampionëve të Azisë, duke mbetur jashtë ndeshjeve të tjera vendase. Kjo situatë e ka zhgënjyer sulmuesin, i cili po shqyrton seriozisht të ardhmen e tij.
Sipas mediumit TEAMtalk, përfaqësuesit e lojtarit kanë zhvilluar bisedime me disa klube të elitës angleze. Mes tyre përmenden Newcastle United dhe Tottenham Hotspur.
Më herët, interes për sulmuesin kishin shfaqur edhe Atlético Madrid, Juventus si dhe Fenerbahçe.
Një rikthim në Evropë do të nënkuptonte edhe ulje të konsiderueshme të pagës, pasi aktualisht ai përfiton rreth 400 mijë paundë në javë (afërsisht 458 mijë euro) tek Al Hilal.