Curaçao, trajneri Dick Advocaat jep dorëheqjen tre muaj para Botërorit

Pas kualifikimit historik për në Botërorin e ardhshëm, Dick Advocaat ka dhënë dorëheqjen nga detyra e trajnerit të përfaqësueses së Curaçao-s. Sipas njoftimeve të federatës, Fred Rutten do të marrë drejtimin e skuadrës kombëtare.

Advocaat shpjegoi se vendimi lidhet me nevojën për të qëndruar pranë vajzës së tij, e cila po përballet me probleme shëndetësore: “Gjithmonë kam thënë që familja vjen para futbollit. Ky është një vendim natyral. Do të më mungojë shumë Curaçao, njerëzit dhe kolegët e mi. Jam krenar për lojtarët e mi, stafin dhe anëtarët e bordit që besuan tek ne,” u shpreh ai.

Curaçao bëhet kështu shteti më i vogël në botë që është kualifikuar ndonjëherë për në një Botëror. Me dorëheqjen e Advocaat, drejtimi i kombëtares kalon te Rutten, i cili më parë ka stërvitur skuadra si Twente, PSV, Feyenoord dhe Schalke 04.