'Kush është intimiduar?'/ SPAK ia pret shkurt Ulsi Manjës: Balluku ka intimiduar vartësit dhe të pandehurit...

Teksa Këshilli i Mandateve është mbledhur këtë të hënë, 23 shkurt, për t’i hequr ose jo imunitetin Belinda Ballukut e marrë e pandehur nga Prokuroria e Posaçme, kjo e fundit është pyetur nga ligjvënësit socialistë, lidhur me faktin nëse Balluku po prish provat.

Anëtari i Këshillit të Mandateve, Ulsi Manja i ka drejtuar prokurorëve të SPAK, pyetje mbi deklaratat e tyre se Belinda Balluku, drejtpërdrejt dhe nëpërmjet palëve të tjera, ka kërcënuar dëshmitarë lidhur me çështjen e saj.

Ulsi Manja: Këto që janë kërcënuar janë dëshmitar apo të pandehur?

Prokuroria: Janë edhe të pandehur të tjerë, edhe persona dëshmitar qe s’janë të pandehur.

Manja: A janë sekuestruar të gjitha provat?

Prokuroria: Jo.

Ulsi Manja: Cili është mekanizmi përmes se cilës Balluku po prish provat pasi është e pezulluar.

Prokurori: Balluku është në detyrë. Mekanizmi, duke takuar vartësit.

Më herët kreu i Grupit Parlamentar të PD, njëkohësisht anëtar në Këshillin e Mandateve ka adresuar një sërë pyetjesh për Komisionin, lidhur me mbledhjen që po zhvillohet këtë të hënë për heqjen e imunitetit të Belinda Ballukut.

Bardhi i është drejtuar Këshillit të Mandateve, se SPAK  e ka konfirmuar se ‘të fortët’ kanë kërcënuar dëshmitarët për llogari të Ballukut, dhe si e tillë gjendja e saj procedurale është rëndur, çka rrezikon prishjen e provave dhe kryerjen e krimeve të tjera, nëse nuk do t’i hiqej mandati.

Ligjvënësi demokrat, i është drejtuar Këshillit të Mandateve, se hetimi ndaj Ballukut nuk ka prapavijë politike, pretendim që sipas tij nuk është ngritur nga mbrojtja e numrit dy të qeverisë.