Prej mbi 3 javësh në protestë, banorët e Baks-Rrjoll përplasen me policinë: Apeli u njeh pronësinë familjes Malaj

Prej më shumë se tre javësh, banorët e fshatit Baks-Rrjoll vijojnë rezistencën kundër ndërtimit të një resorti turistik në zonën e tyre, duke e cilësuar projektin si cenim të pronave dhe të trashëgimisë së komunitetit.

Edhe këtë të hënë, banorët kanë dalë sërish në protestë, por janë përballur me një perimetër të gjerë sigurie të vendosur nga forcat e policisë, të cilat kanë penguar afrimin e tyre pranë punëtorëve dhe makinerive që vijojnë punimet në terren.

Situata ka mbetur e tensionuar, ndërsa banorët akuzojnë institucionet për mosreagim ndaj pretendimeve të tyre për pronësinë e tokës.

Por në mes të kësaj përplasjeje, për banorët ka ardhur një zhvillim i rëndësishëm ligjor.

Këtë të hënë, në Gjykata e Apelit e Tiranës është zhvilluar një seancë, ku trupa gjykuese ka njohur familjen Malaj, banorë të zonës, si pronarë të ligjshëm të pronës në fjalë.

Vendimi konsiderohet një fitore e parë në betejën ligjore të komunitetit.

Ndërkohë, i është bërë thirrje Prokuroria e Shkodrës që të marrë në shqyrtim dosjen dhe të hetojë më tej pretendimet për shkelje.

Banorët shprehen se gjatë kësaj periudhe kanë pasur edhe tentativa intimidimi. Sipas tyre, Fatmir Shpellza ka tentuar të kontaktojë të afërm të familjeve në konflikt, me qëllim ushtrimin e presionit për tërheqje nga pretendimet.

Megjithë tensionet dhe përplasjet, banorët e Baks-Rrjollit deklarojnë se rezistenca do të vijojë edhe në ditët në vijim, deri në zbardhjen e plotë të çështjes dhe respektimin e pronës së tyre.