'Dosja Partizani', gjyqi shtyhet për 6 mars, Gjokutaj: Prokurori kërkoi kohë, shqyrtimi do të jetë i plotë

Gjyqi për dosjen e njohur “Partizani” është shtyrë për më 6 mars, pas përfundimit të parashtrimeve hyrëse nga të gjithë të pandehurit.

Prokurori i SPAK, Arben Kraja, kërkoi më shumë kohë për t’u shprehur mbi provat dhe dëshmitarët e kërkuar nga hetimi, duke shtuar kështu afatin për vijimin e shqyrtimit gjyqësor.

Avokati Genc Gjokutaj, i cili dha një deklaratë për mediat pas daljes nga seanca, theksoi se shtyrja është një hap i nevojshëm për të siguruar një shqyrtim të plotë dhe të drejtë të materialit të dorëzuar. Ai u shpreh se të pandehurit përfunduan prezantimin e qëndrimeve të tyre hyrëse dhe tani gjykata ka mundësinë të marrë kohën e duhur për të analizuar kërkesat për prova dhe dëshmitarë.

“Prokurori ka kërkuar kohë për t’u shprehur mbi materialin e dorëzuar. Kjo është një procedurë normale që garanton se çdo pretendim i mbrojtjes do të merret në konsideratë dhe do të shqyrtohet me kujdes,” tha Gjokutaj.

Gjykata vendosi shtyrjen për të siguruar një proces të drejtë dhe të plotë, duke e çuar shqyrtimin gjyqësor në datën 6 mars në orën 13:30, kur do të vazhdojë shqyrtimi i provave dhe dëshmitarëve të propozuar nga palët.

Fjala e tij:

Në disa seanca, siç e keni ndjekur, është bërë parashtrimi i hyrës dhe janë bërë kërkesat për prova. Sot përfunduam të gjithë subjektet e kësaj çështjeje dhe kemi kërkuar, sërish, pavlefshmërinë dhe papërdorshmërinë e akteve. Kemi kërkuar të vijnë ekspertët në seancë për të shpjeguar ato akte absolutisht të pavlefshme që janë kryer.

Ishte interesante sot që prokurori, vetëm zoti Arben Kraja, kërkoi kohë për të replikuar mbrojtjen. Modë e re, sepse pretendimet tona prokurori do t’i kundërshtojë përpara gjykatës. Gjithsesi, është puna e tij, dhe çështja u shty për në datën 6 mars, ora 13:30, për të dëgjuar reagimin e prokurorit ndaj parashtrimeve tona. Më pas do të mësojmë se kur gjykata do të japë vendimin.

Duhet të dini se gjykata, pasi të mbarojë dhe prokurori, do të shprehet me vendim për të gjitha kërkesat tona, si për dëshmitarët, ashtu edhe për kryerjen e akteve të ekspertimit dhe për të gjitha kërkesat për të gjithë subjektet. Më pas, do të kalohet në marrjen e provave sipas radhës, që do të caktohet pas propozimit të palëve. Zakonisht fillohet me pyetjen e dëshmitarëve.

Ne e kemi thënë që kjo çështje ka filluar me vullnet politik. Janë dy video që i kemi dorëzuar në gjykatë, edhe të noterizuara, referuar linkut nga ku janë marrë. Njëra është në parlament, thirrja e Taulant Ballës që, sipas amanetit, duhet të çojmë Saliun në burg. Tjetra është thirrja e Edi Ramës nga Asambleja e Partisë Socialiste, ku ai kërkon që SPAK-u, i delegjitimuar sipas tij, të veprojë.

As më shumë, as më pak; këto janë vepra penale – ushtrim i ndikimit hapur, përmes medias, mbi gjykatën dhe prokurorinë. Sigurisht, ne kemi theksuar se këto veprime shërbejnë për interesin politik dhe thelbin politik të kësaj çështjeje, në mungesë të faktit penal, i cili është elementi i vetëm që mund të krijojë një çështje ligjore.