Tragjedi pas ndeshjes Atalanta-Napoli, burri shau VAR-in, gruaja e godet me thikë

Një pasdite, që nisi si normale përballë televizorit në Capodimonte, përfundoi në tragjedi për një çift, pas ndeshjes Atalanta-Napoli. Një tifoz napolitan 40-vjeçar u qëllua me thikë nga bashkëshortja e tij 35-vjeçare gjatë një keqkuptimi që shkaktoi panik dhe dhunë.

Sipas mediave italiane, gjithçka filloi kur vendimi i VAR-it për të hequr një penallti për Napolin nxiti zemërimin e burrit. Në momentin e frustrimit, ai filloi të shante dhe të bërtiste drejt ekranit. Gruaja, duke menduar se fyerjet ishin për të, reagoi menjëherë.

“Shko ose të godas me thikë”, ka thënë ajo, duke kaluar nga kërcënimet tek veprimi. Fillimisht hodhi disa gërshërë, por pa e goditur. Më pas u drejtua në kuzhinë, mori një thikë dhe, pas një tentative të dështuar, arriti ta godiste burrin në anë. Ai, i gjakosur, tentoi të thërriste ndihmën, ndërsa gruaja vazhdonte sulmin duke hedhur edhe thika të tjera, njëra prej të cilave mbeti ngulur në murin e dhomës së ndenjes.

Ndërhyrja e karabinierëve të stacionit të Capodimonte-s shmangu pasojat më të rënda. Në çantën e gruas u gjetën edhe tri thika të tjera, përfshirë një hapëse konzervash.

Burrin e dërguan menjëherë në Ospedale del Mare, ku raportohet se ka marrë disa plagë, por fatmirësisht nuk rrezikon jetën.

Ngjarja tregon se pasioni për futbollin mund të çojë deri në situata ekstreme kur keqkuptimet dhe tensioni bashkohen në momente të gabuara.