Hetimet politike/ Deklaratat për arrestimin e Berishës nga Rama dhe Balla ‘paraqiten’ në gjyq përmes videoprojektorit

Në gjyqin në themel që po mbahet në Gjykatën e Posaçme për dosjen “Partizani”, Jamarbër Malltezi po bën parashtrimet për të kundërshtuar akuzat e SPAK.

Ai po bën parashtrimet e tij prej 2 seancash gjyqësore në procesin në themel që po zhvillohet me procedurë te zakonshme.

Një pjesë e materialeve u prezantuan përmes video projektorit, ku u vendosën edhe dy deklarata, të Edi Ramës në Asamblenë e PS më 7 maj 2022, dhe Taulant Ballës në Kuvend.

Në sallën e gjyqit, para prokurorit të spak Arben Kraja, dhe togës së gjyqtarëve me Elsa Ullirin kryesuese dhe Bib Ndrecën e Rudina Palloi, u vendosën me zë dhe figurë deklaratat ku Rama thotë se SPAK-u po delegjitimohet me vonesën për çështjen ndaj Berishës. Ndërsa Balla thotë në kuvend se “nuk vdesim pa e parë Berishën në burg”.

Avokatët e Malltezit dhe Berishës kanë insistuar vazhdimisht që Edi Rama të thirret për tu marrë në pyetje për dosjen “Partizani”, i cili në cilësinë e kryetarit të bashkisë Tiranë ka kryer veprime mbi pronën e ish-kompleksit Partizani, kërkesë për të cilën drejtësia ende nuk është shprehur.

Malltezi: Taulant Balla është kallëzues i rremë. Edi Rama në asamblenë e PS kërkoi që SPAK të merrej me Sali Berishën.

Malltezi-Gjykatës në fund të fjalës së tij: Hidheni në kosh këtë proces politik, mos bini pre e presionit politik, urdhëroni nisje të hetimeve për kallzim të rremë për Taulant Ballën dhe hetime për Edi Ramen për një sërë shkeljesh që ju kam paraqitur me fakte.